BALLKANI

Prokuroria Speciale e Kosovës ngre aktakuzë ndaj 21 personave për krime lufte në Reçak

Sipas njoftimit të Prokurorisë, 21 personat e pandehurit akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe kanë vrarë 42 civilë shqiptarë

Agim Sulaj  | 30.12.2025 - Përdıtësım : 30.12.2025
Prokuroria Speciale e Kosovës ngre aktakuzë ndaj 21 personave për krime lufte në Reçak

Prishtinë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave të dyshuar për veprën penale “krim lufte kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e kryer në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, më 15 janar të vitit 1999, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, 21 personat e pandehurit akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe kanë vrarë 42 civilë shqiptarë.

Aktakuza thekson se në periudhën 1998–1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, konkretisht Brigadës së 243-të të Mekanizuar të Armatës së Tretë, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), kanë kryer trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

Sipas hetimeve, forcat serbe fillimisht rrethuan fshatin Reçak nga zonat e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, për të vazhduar më pas me granatime nga distanca. Më pas, ata kontrolluan shtëpi më shtëpi, ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar këta të fundit të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar u ekzekutuan.

Prokuroria bën të ditur se gjatë operacionit janë ushtruar forma të rënda të dhunës fizike ndaj civilëve, përfshirë rrahje me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, rreth 20 mijë civilë nga fshatrat Reçak, Topillë, Petrovë, Kraisht, Mullapolc dhe Dremjak u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që procesi gjyqësor të zhvillohet në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm për organet kosovare të drejtësisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın