BALLKANI

"Programi i MCC-së për energji do t'ia kursejë buxhetit të Kosovës 15 milionë euro në vit"

"Ky program do të sjellë në Kosovë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë rreth 347 megavat orë rezerva, të cilat do të kryejnë funksionin e stabilizimit të frekuencave të rrjetit", tha Rizvanolli

Agim Sulaj   | 05.07.2022
"Programi i MCC-së për energji do t'ia kursejë buxhetit të Kosovës 15 milionë euro në vit"

Prishtinë

Programi Kompakt i MCC-së (Sfidave të Mijëvjeçarit) për energji do të jetë investimi më i madh në fushën e energjisë në historinë e Kosovës si vend i lirë, ka thënë ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një takim në mes të delegacionit Amerikan të Korporatës së MCC-së dhe atij të Kosovës në lidhje me programin Kompakt të MCC-së, ministrja Rizvanolli tha se janë aprovuar 236.7 milionë dollarë si investim në fushën e energjisë në Kosovë.

Nga kjo shumë, ministrja bëri të ditur se 202 milionë dollarë vijnë si grant pa pasur nevojë të kthehen ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga Kosova.

"Ky program do të sjellë në Kosovë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë rreth 347 megavat orë rezerva, të cilat do të kryejnë funksionin e stabilizimit të frekuencave të rrjetit si dhe shfrytëzimit të energjisë së ruajtur gjatë natës në orët më të ngarkuara gjatë ditës, që do të thotë ulje të importit të shtrenjtë të energjisë", tha Rizvanolli.

Ajo tha se "Programi kompakt do t'ia kursejë sistemit energjetik të Kosovës të paktën 15 milionë euro në vit të cilat do të përkthehen në kursim të parave si të konsumatorit të energjisë ashtu edhe të taksapaguesve kosovarë. Ditëve që vijnë do të punojmë për të arritur ratifikimin sa më të shpejtë të marrëveshjes në Kuvend në mënyrë që të nisim sa më parë periudhën parapërgatitore që na sjellë sa më shpejtë te zbatimi i projektit dhe përdorimi i rezervave".

Rizvanolli tha se programi do të zhvillojë shkathtësitë e fuqisë punëtore me synim të përfshijë sa më shumë gra në sektorin e energjisë si dhe do të lehtësojë bashkëpunimin me sektorin privat për investime tjera në energji.

Drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead tha se programi kompakt vjen në kohën kur bota po përballet me krizën energjetike, që po nxitet edhe më shumë nga lufta në Ukrainë.

“Kam dëgjuar nga të gjithë përfaqësuesit se sa kritike dhe sa në kohë të duhur është ky program dhe me të vërtetë e shohin këtë si fuqi për të ndihmuar Kosovën në energjinë e pastër dhe duke pasur parasysh luftën në Ukrainë dhe sfidat e dimrit të kaluar, ndjenja ishte se Kosova nuk duhet të humbë kohë që të marrë këtë program”, tha Olmstead.

Sipas zyrtarëve amerikanë, prokurimi i parë për këtë program pritet të lansohet pas dy vjetësh.

Pas aprovimit unanim të Programit Kompakt të Kosovës nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së, një delegacion teknik Amerikan ka ardhur për vizitë pune 10 ditore në Kosovë. Qëllimi i vizitës është fillimi i punës në dizejnimin dhe implementimin e projektit të sistemeve akumuluese si dhe mbajtja e takimeve koordinuese me institucionet hisedare në projektin e kapaciteteve akumuluese të energjisë.

Në maj të këtij viti, Qeveria e Kosovës dhe MCC-ja u pajtuan për programin e ri kompakt. Përveç 202 milionë dollarëve që janë grant direkt nga Qeveria amerikane dhe mjete që nuk duhet të kthehen, Kosova do të kontribuojë në këtë program me rreth 35 milionë dollarë ndërsa 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın