"Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE është projekt i përbashkët i shoqërisë"
Në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë është mbajtur takimi i Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian të Shqipërisë (KKIE) me temë: "Ecuria e procesit të integrimit evropian dhe hapat në vijim"
Tiranë
Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian të Shqipërisë (KKIE) ka zhvilluar takimin me temë: "Ecuria e procesit të integrimit evropian dhe hapat në vijim", me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, raporton Anadolu.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në fjalën e saj në hapje të takimit theksoi se lidershipi i Kuvendit në procesin e integrimit dhe roli i tij si garantues i legjitimitetit demokratik dhe tiparit gjithëpërfshirës të procesit të integrimit është jetësuar nëpërmjet kontributit të dukshëm dhe të vlerësuar të KKIE-së.
Ajo tha se në mars të këtij viti miratuan ndryshimet e ligjit për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nikolla theksoi se ndryshimet rrisin përgjegjësinë e Kuvendit për të çuar përpara agjendën evropiane, sipas saj, duke lehtësuar konsensusin për miratimin e ligjeve.
"Ndryshimit ligjore rrisin rolin kontrollues të Kuvendit nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian dhe Komisionit për Çështjet Evropiane për ecurinë e procesit për anëtarësimin dhe të kritereve të vendosura gjatë procesit të negociatave për hapjen dhe mbylljen e kapitujve. Këto ndryshime do të nxisin dhe do të rrisin pjesëmarrjen e grupeve të interesit në monitorimin e procesit të negociatave", u shpreh Nikolla.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në fjalën e saj u shpreh se procesi i anëtarësimit në BE është projekt i përbashkët i shoqërisë, ku sipas saj, si askund tjetër, janë të angazhuar të gjithë aktorët dhe faktorët politikë dhe shoqërorë.
Ajo tha se Shqipëria po përjeton një rienergjizim të procesit të integrimit edhe falë vëmendjes së re të institucioneve evropiane.
"Ne e përshëndesim angazhimin e BE-së me një qasje të re ndaj rajonit tonë dhe avancimit drejt anëtarësimit në BE. Është kuptuar se procesi ka nevojë të përshpejtohet për të fituar kohën e humbur. Ka energji të reja, ka prani të shtuar, por ka dhe një qasje gjithmonë e më praktike në marrjen e përfitimeve të anëtarësimit në BE, shumë më përpara anëtarësimit, në politika e programe sektoriale, sigurisht duke arritur standartet e kërkuara", tha Xhaçka.
Xhaçka u shpreh se institucionet e BE-së kanë vlerësuar e vlerësojnë seriozitetin dhe përkushtimin e Shqipërisë për procesin dhe linjëzimin e plotë me vlerat dhe parimet e BE-së në politikën e brendshme dhe të jashtme.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme në Tiranë po mbahet edhe takimi i 16-të i Komitetit Parlamentar të Asociim-Stabilizimit BE-Shqipëri. Në kuadër të këtij takimi, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, priti delegacionin e Parlamentit Evropian të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
