Prishtinë, protestë masive kundër Gjykatës Speciale për krime të luftës në Kosovë
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se gjykata po provon ta njollosë luftën çlirimtare të Kosovës, sikur kjo luftë u bë nga kriminelë, ndërkohë që ajo u bë nga ushtria e drejtë kosovare me ndihmën e NATO-s

Prishtinë
Mijëra qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës u bënë bashkë të enjten në sheshet e kryeqytetit, në Prishtinë, për të protestuar kundër Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, apo Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, raporton Anadolu.
Protesta, e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), mblodhi figura të ndryshme të cilët erdhën për të protestuar në emër të drejtësisë.
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se gjykata po provon ta njollosë luftën çlirimtare të Kosovës, sikur kjo luftë u bë nga kriminelë, ndërkohë që ajo u bë nga ushtria e drejtë kosovare me ndihmën e NATO-s. Gucati tha se këto gjykime janë politike dhe padrejtësia është më e rrezikshme se lufta.
“Serbia, përmes kësaj gjykate në Hagë, e cila që nga fillimi, më shumë i ka shërbyer Serbisë sesa drejtësisë, mund të përpiqet ta pastrojë imazhin e saj kriminal, por e vërteta nuk fshihet dot. Dëshmitë janë të gjalla, plagët janë të hapura dhe populli i Kosovës nuk harron”, theksoi Gucati.
Njëra nga ish-hetueset në rastin kundër Sllobodan Millosheviqit në Hagë, Nevenka Tromp, e cila mori pjesë në këtë tubim, tha se drejtësia, paqja, dinjiteti janë prioritet dhe Kosova nuk është një kompromis, por një shtet sovran.
Ajo tha se megjithëse fuqitë globale nuk e kanë prioritet çështjen e Kosovës, Kosova është prioritet për popullin e saj.
“Sot mblidhemi për të kundërshtuar këtë heshtje, për të sfiduar harresën, për të thënë se Kosova ka rëndësi. Kosova mund të mos jetë prioritet për fuqitë globale, por për ju, popullin e Kosovës, kjo është personale”, theksoi Tromp, duke shtuar se profesionistët e drejtësisë duhet të veprojnë pa ndikime politike dhe me standarde profesionale.
Me një fjalë rasti, mijëra të pranishmëve iu drejtua edhe Arbër Cacaj, djali i dëshmorit Nagip Cacaj, i cili tha se si një fëmijë në luftë, pati fatin të mbijetojë, ndryshe nga 1.432 fëmijë të cilët u vranë në luftë.
Për mbi dy orë, komunikacioni nëpër rrugët e Prishtinës dhe kalimi në sheshe u vështirësua, për shkak të pjesëmarrjes së madhe të njerëzve në këtë protestë në të cilën mbizotëruan ngjyra e kuqe dhe e zezë me emblemën UÇK-së.
- Çfarë i parapriu kësaj proteste?
Protesta e fundit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së ishte zhvilluar nën organizimin e platformës “Liria ka emër” në prill 2023 në Prishtinë, ku po ashtu morën pjesë mijëra qytetarë.
Në fund të korrikut 2025, në Kosovë pati reagime të ndryshme pas vendimit te Gjykatës Speciale për të pranuar si prova dokumente që thuhet se vijnë nga institucione të sigurisë dhe struktura ushtarake të Serbisë.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më 31 korrik tha se Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë ka pranuar si prova materiale dokumente të cilat janë dorëzuar nga institucione të Serbisë, përfshirë Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe të ashtuquajturën "Komandë për Kosovën dhe Metohinë".
Haxhiu tha se përdorimi i dokumenteve të prodhuara nga institucionet e regjimit serb është i gabuar dhe i papranueshëm, derisa theksoi se pranimi i materialeve nga struktura të regjimit serb si burime të besueshme është deformim i rëndë i drejtësisë dhe fyerje ndaj viktimave të luftës.
"Ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm. Institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës. Pranimi i materialeve të prodhuara nga ky regjim si burime të besueshme përbën një deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri", ishte shprehur Haxhiu.
Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.