BALLKANI

Prishtinë, mural simbolik për Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut

Nën sloganin "DemoKRIZA", vepra artistike trajton krizën e vazhdueshme demokratike dhe pasojat e saj në shoqëri, duke reflektuar mbi sfidat që përballen qytetarët në një kontekst të pasigurt institucional dhe politik

Agim Sulaj  | 10.12.2025 - Përdıtësım : 10.12.2025
Prishtinë, mural simbolik për Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Në qendër të Prishtinës është punuar një mural simbolik për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, nismë kjo e Iniciativës Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS), raporton Anadolu.

Murali i realizuar në një hapësirë publike të frekuentuar, synon ngritjen e vetëdijes qytetare mbi ndikimin e paqëndrueshmërisë politike në ushtrimin e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.

Nën sloganin "DemoKRIZA", vepra artistike trajton krizën e vazhdueshme demokratike dhe pasojat e saj në shoqëri, duke reflektuar mbi sfidat që përballen qytetarët në një kontekst të pasigurt institucional dhe politik.

Sipas YIHR KS, mesazhi i muralit është një thirrje për reflektim dhe veprim, duke theksuar se demokracia nuk është vetëm proces zgjedhor, por edhe garantim i vazhdueshëm i të drejtave të njeriut, llogaridhënie institucionale dhe pjesëmarrje aktive qytetare.

Me këtë aktivitet, organizata synon të përdorë artin publik si mjet komunikimi dhe ndërgjegjësimi, duke e kthyer hapësirën urbane në një platformë diskutimi mbi demokracinë, të drejtat e njeriut dhe përgjegjësinë shoqërore.

Fushata globale "16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore" është një nismë ndërkombëtare e cila zhvillohet çdo vit nga 25 nëntori - Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, deri më 10 dhjetor - Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.