BALLKANI

Prishtinë, ministri turk i Arsimit, Özer, pritet në takim nga kryeministri Kurti

Temë e takimit ishte bashkëpunimi në arsim dhe aftësim profesional ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë

Agim Sulaj  | 22.10.2021 - Përdıtësım : 23.10.2021
Prishtinë, ministri turk i Arsimit, Özer, pritet në takim nga kryeministri Kurti ( Eren Beksaç - Anadolu Agency )

Prishtinë

Ministri i Arsimit i Turqisë, Mahmut Özer, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë është pritur në takim zyrtar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, bashkëpunimi në arsim dhe aftësim profesional ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë ishin tema e takimit.

Kryeministri Kurti falënderoi ministrin Özer për përkrahjen e dhënë nga shteti turk për Kosovën, e veçanërisht mbështetjen në projekte të arsimit, si burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës.

Kurti vuri theksin te objektivi i Qeverisë për të bërë ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, si dhe për synimin për të kthyer vëmendjen e punës kah dija dhe arsimi, kah hulumtimi e inovacioni.

Kryeministri Kurti potencoi gjithashtu zotimin e Qeverisë për mundësi të barabarta dhe gjithëpërfshirje në arsim për fëmijët nga grupet e margjinalizuara, drejt zvogëlimit të hendekut në arritjet arsimore të komuniteteve dhe personave me nevoja të veçanta.

Ndërkaq, ministri Özer theksoi gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen për arsimin në Kosovë në çfarëdo forme të nevojshme.

Duke shprehur kënaqësinë që vizita e parë e tij si ministër jashtë vendit po realizohet në Kosovë, sipas komunikatës, Özer u shpreh i lumtur me stabilitetin dhe prosperitetin në Kosovë, si dhe bashkëjetesën mes komuniteteve, që përfshinë edhe qytetarët turq.

Më herët Özer ka pasur takim të veçantë me homologen kosovare Arbërie Nagavci në ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, të cilët pas takimit kanë vizituar edhe shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë.

Ministri turk i Arsimit, Özer, i cili po qëndron sot në Prishtinë në kuadër të një vizite dyditore, dje ka zhvilluar takime në Prizren dhe Mamushë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın