Prishtinë, mbahet aktiviteti “Ato janë Ne” si sensibilizim me viktimat në baza gjinore
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se nga janari janë raportuar rreth dy mijë raste të dhunës në familje dhe 90 për qind e këtyre rasteve janë shënuar ndaj grave dhe vajzave

Prishtinë
Është mbajtur në Prishtinë aktiviteti “Ato janë Ne”, në kuadër të aktiviteteve të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, raporton Anadolu.
Në këtë aktivitet, i cili u mbajt në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytetin kosovar, morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, si dhe përfaqësues të organizatave që merren me të drejtat e grave dhe qytetarë.
Presidentja Osmani tha se për 16 ditë me radhë do të ketë një varg aktivitetesh në kuadër të kësaj fushate e cila është sensibilizim për ata që janë bërë viktimë e dhunës me bazë gjinore.
Ajo tha se për shkak të rasteve të shumta të dhunës, janë ashpërsuar dënimet për kryerësit e veprave penale, por që po punohet edhe në parandalimin e këtyre rasteve.
Presidentja u ka bërë thirrje vajzave e grave që ta raportojnë dhunën, për çka tha se vetëm të bashkuar mund të luftohet ky krim.
“Për fat të keq, në Kosovë ka pasur raste të shumta në bazë gjinore dhe bashkë me ministren e drejtësisë kemi punuar që jo vetëm të ashpërsohen dënimet ndaj atyre që kryejnë këto vepra të tmerrshme penale, por në të njëjtën kohë që të fillojmë me të gjitha institucionet që të kemi edhe parandalim të këtij krimi. U bëjmë thirrje të gjitha vajzave e grave që të mos e durojnë dhunën. Do të jemi gjithnjë aty, për njëra-tjetrën”, theksoi Osmani.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se nga janari janë raportuar rreth dy mijë raste të dhunës në familje dhe 90 për qind e këtyre rasteve janë shënuar ndaj grave dhe vajzave.
Haxhiu u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të mos i neglizhojnë rastet e dhunës.
“Në kuadër të kësaj fushate kemi paraparë mbi 80 aktivitete, dhe është shumë e rëndësime që të punohet me të gjithë. Kjo fushatë është një thirrje dhe senzibilizim, është një thirrje për institucionet që raste e dhunës të mos i injorojnë, të mos i neglizhojnë, përgjegjësit t’i vendosin para përgjegjësisë”, theksoi Haxhiu.
Edhe ministrja e MASHT-it, Arbërie Nagavci, këkroi që të raportohet dhuna dhe dhunuesit të marrin dënimin maksimal, derisa sqaroi se në të gjitha shkollat në vend nxënësit do të njihen me të drejta e tyre.
Madje, ministrja Nagavci tha se edhe mësimdhënësit janë pajisur me informatorë për të adresuar këto raste.
“Në të gjitha shkollat ka filluar një varg aktivistetesh në shkolla që të gjithë të njihen me të drejtat e tyre, por edhe të raportojnë dhunën. Kemi përgatitur dhe shpërndarë informatorë edhe për mësimdhënësit tanë për të adresuar këto raste”, theksoi Nagavci.
Në këtë aktivitet, presidentja, ministret dhe gratë e pranishme ngjyrosën dorën me ngjyrë portokalli dhe e vendosën mbi pllakën me moton “Ato janë Ne”, që në mënyrë figurative shpreh togfjalëshin “stop dhunës”.