Prishtinë, eskalon protesta kundër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova
Gjatë protestës, është hedhur edhe gaz lotsjellës nga aktivistët e PSD-së brenda ambientit ku do të mbahet konferenca si dhe në hyrje të hotelit

Prishtinë
Partia Socialdemokrate (PSD) e ka pritur me protestë kryetaren e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, gjatë vizitës së saj në Kosovë, raporton Anadolu.
Protesta e organizuar nga PSD-ja, ku u bashkuan edhe një numër qytetarësh dhe pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), eskaloi në arrestimin e disa protestuesve.
Gjatë protestës është hedhur edhe gaz lotsjellës nga aktivistët e PSD-së brenda ambientit ku do të mbahet konferenca, si dhe në hyrje të hotelit.
Policia e Kosovës arrestoi më pas kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqajn, si dhe pesë aktivistë të kësaj partie.
Hyrja e hotelit ku po mbahet takimi i Trendafilovës me shoqërinë civile u rrethua nga forca të shumta policore, të cilët kërkuan edhe nga mediat që të mbanin distancë nga aty.
Disa nga pankartat e mbajtura nga protestuesit gjatë protestës ishin “TrendafilOUT”, “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “Historia është shkruar, propaganda ka dështuar”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.