Prishtinë, protestë për lirimin e ish-policit Arbnor Spahiu, i arrestuar në Serbi
Familjarja e ish-policit, tha se Arbnor Spahiu, një vit para se të ndodhte rasti Banjska ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë duke jetuar dhe vepruar në Gjermani
Prishtinë
Familjarë të policit Arbnor Spahiu, të arrestuar nga autoritetet serbe që nga qershori i këtij viti, bashkë me një numër qytetarësh, kanë protestuar të martën në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë, në kërkim të lirimit sa më të shpejtë të tij, raporton Anadolu.
Me parullat "Drejtësi për Arbrnorin", "Arbnor Spahiu nuk është vetëm, jemi të gjithë bashkë", "Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar", të martën në një protestë në Prishtinë është kërkuar lirimi nga paraburgimi në Serbi i ish-policit.
Spahiu u arrestua në qershor të këtij viti nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë dhe akuzohet nga autoritetet serbe për kryerjen e veprës penale "vrasje e rëndë", në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Organizatorja e protestës Erëza Zeqiri, ka thënë se Sapihu po mbahet padrejtësisht në burg në Serbi dhe padrejtësia nuk mund të mbulohet me heshtje.
"Jemi këtu për të ngritur zërin e Arbnorit, për të thënë me vendosmëri se liria e tij është e drejtë themelore dhe se askush nuk mund të mbahet peng i padrejtësisë. I bëjmë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që të angazhohen pandërprerë për lirimin e tij. Po ashtu, u bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të të drejtave të njeriut, që të marrin përgjegjësinë për të garantuar të drejtat themelore të një qytetari që padrejtësisht po mbahet i burgosur", ka theksuar Zeqiri.
Familjarja e Arbnor Spahiut, Donjeta Spahiu, tha se ai është i pafajshëm dhe po mbahet padrejtësisht në burg.
Spahiu tha se gjendja fizike e ish-policit të arrestuar në Serbi është e mirë, mirëpo jo edhe gjendja emocionale.
"Familja e ka takuar Arbnorin sigurisht, gjendja e tij fizike është e mirë, mirëpo për këto katër muaj sigurisht që gjendja e tij emocionale është shumë e rënduar sepse po privohet nga liria prej një padrejtësie, nga një sistem i cili nuk po funksionon si duhet dhe për këtë arsye sigurisht që gjendja e tij nuk mund të jetë e mirë", tha Spahiu.
Ajo tha se Arbnor Spahiu një vit para se të ndodhte rasti Banjska ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë duke jetuar dhe vepruar në Gjermani.
Sipas familjarëve, avokatët e ish-policit Arbnor Spahiu kanë dorëzuar dëshmi që ai nuk ka qenë pjesë e Policisë kur ndodhi rasti Banjska.
Spahiu u arrestua më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij.
Ish-polici Arbnor Spahiu po mbahet në qytetin verior të Serbisë, Suboticë, që nga 9 qershori kur Gjykata e Lartë e Suboticës urdhëroi paraburgosjen e tij.
Më 24 shtator të vitit 2023, një grup i armatosur serb e pati sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërkaq pjesa tjetër e grupit kishte ikur në drejtim të Serbisë.
