BALLKANI

Prishtinë, dhjetëra mjekë protestojnë me kërkesë rritjen e shtesave mbi paga

Dhjetëra mjekë janë bashkuar në këtë protestë nën motot “Stop diskriminimit të punëtorëve shëndetësorë nga politikbërja”, “Meritokraci, jo lëmoshë”, “Hartimi me urgjencë i Ligjit të Pagave” dhe të tjera

Agim Sulaj   | 17.09.2021
Prishtinë, dhjetëra mjekë protestojnë me kërkesë rritjen e shtesave mbi paga ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë lidhur me pakënaqësitë e nxjerrjes së udhëzimit administrativ për shtesat mbi paga të bazuara në Ligjin për luftimin dhe parandalimin e pandemisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra mjekë janë bashkuar në këtë protestë nën motot “Stop diskriminimit të punëtorëve shëndetësorë nga politikbërja”, “Meritokraci, jo lëmoshë”, “Hartimi me urgjencë i Ligjit të Pagave” dhe të tjera.

Kryetari i sindikatës, Blerim Syla, fajëson ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ngase sipas tij, ministri Vitia ka ndërprerë çdo dialog me FSSHK-në, e rrjedhimisht dhe këta nuk kanë mundur t’i adresojnë kërkesa qeverisë nëpërmjet kësaj ministrie.

“Sot situata është më e rëndë se kurrë. Kemi shkelje të të drejtave të infermierëve, të mjekëve, të specializantëve, të pastruesve dhe gjithë zinxhirit komandues, vetëm e vetëm për neglizhencën e ministrit Vitia, i cili punëtorin shëndetësorë për të cilin ai është përgjegjës e ka lënë në mëshirën e disa menaxherëve të vegjël dhe vartësve të tyre”, tha Syla.

Syla tha se të drejtat e mjekëve po shkelen dhe se shtesat nga 60 euro për punëtorët shëndetësorë i konsiderojnë si lëmoshë e cila po u jepet në kuadër të Ligjit anti-COVID.

FSSHK paralajmëroi se po ashtu me të njëjtat arsye gjatë ditës së sotme do të protestojnë edhe përballë Qeverisë së Kosovës.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e shëndetësisë në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike i votuar në fund të muajit të kaluar parasheh mbështetjen e punëtorëve shëndetësorë të punësuar në sektorin publik në shumën prej 10 për qind të pagës bruto, e jo më pak se 60 euro për muajt gusht, shtator dhe tetor të vitit 2021.

Për shkak të këtij vendimi, FSSHK reagoi edhe në ditët e para të miratimit të këtij vendimi. Ditë më parë ata kanë kërkuar që qeveria të marrë vendim për rritjen e shtesave me mbi 300 euro, në të kundërtën do të përgatisin padi kundër saj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın