Prishtinë, protestohet në shtatëvjetorin e vdekjes së ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari
Avokati Tom Gashi, tha se mendojnë se vrasja e Astrit Deharit po fshihet nga Prokuroria dhe nuk dihen arsyet se përse Prokuroria që do të duhej të ishte më e besuara në shtetin kosovar, nuk po jep informata mbi këtë rast

Prishtinë
Dhjetëra qytetarë kanë protestuar para Prokurorisë Speciale në Prishtinë në shtatëvjetorin e vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, raporton Anadolu.
Në këtë protestë ku morën pjesë edhe bashkëshortja, vajza dhe prindërit e Astrit Deharit, si dhe avokati i rastit, u kërkua drejtësi për rastin e Deharit i cili vdiq në rrethana ende të pasqaruara në qendrën e paraburgimit në Prizren në vitin 2016.
"Drejtësi për Astritin", "Pa drejtësi nuk ka qetësi", "Prokurori mos fli, raporto rastin" ishin disa nga thirrjet e protestuesve para institucionit të prokurorisë.
Babai i Astritit, Avni Dehari, tha se vrasja e Astritit ka qenë një inskenim për qëllime politike dhe jo për veprën që ai ka bërë.
"Tash e shtatë vjet, drejtësia është peng në duart e Prokurorisë. Një prokurori e mirëfilltë, për një rast si të Astritit që është vrarë në burgun e Prizrenit, në mos për shtatë ditë dhe as shtatë javë, për shtatë muaj do të duhej ta zbardhte këtë rast. Vetë fakti që shtatë vjet nuk e zbardhën rastin, flet shumë se është një drejtësi e manipuluar nga vetë prokurorët", theksoi Dehari.
Avokati Tom Gashi, tha se mendojnë se vrasja e Astrit Deharit po fshihet nga Prokuroria dhe nuk dihen arsyet se përse Prokuroria që do të duhej të ishte më e besuara në shtetin kosovar, nuk po jep informata mbi këtë rast.
"Deri më tani Prokuroria Speciale e Kosovës e cila ka më tepër se pesë vite që e ka marrë këtë rast dhe që pasnesër bëhen shtatë vite nga hetimi i këtij rasti, nuk e ka përfunduar rastin ashtu siç provat tregojnë. Prokuroria e di më mirë se të gjithë ne se i ka të gjitha provat se Astrit Dehari është vrarë, mirëpo, ne nuk i dimë arsyet, por besojmë se nuk janë arsye ligjore, pse Prokuroria deri më tani nuk ka nxjerrë së paku një aktvendim për zhvillimin e hetimeve në drejtim të zbulimit të vrasësve të Astrit Deharit", theksoi Gashi.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari qëndroi në qeli për 78 ditë pa u marrë në pyetje zyrtarisht nga organet kompetente, ndërsa vdiq më 5 nëntor 2016 në rrethana të cilat ende nuk janë zbardhur. Ai mbahej i arrestuar së bashku me 5 aktivistë të tjerë të Vetёvendosjes që akuzoheshin për sulm me mjet shpërthyes mbi godinën e Parlamentit të Kosovës, pas përpjekjes së Parlamentit për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Me kërkesë të familjes Dehari rasti për zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit ishte bartur Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, e cila në tetor të vitit 2018, kishte ardhur në përfundim se "gjasat janë të vogla që Astrit Dehari, aktivist i Vetëvendosjes, ta ketë vrarë veten në burg".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.