Prishtinë, nënshkruhet Deklarata "Brighton Plus Helsinki" për barazi gjinore në sport
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi tha se barazia gjinore nuk është vetëm synim social apo moral, por domosdoshmëri për zhvillimin dhe suksesin e sportit modern
Prishtinë
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), përmes komisionit "Barazia Gjinore dhe Diversiteti", ka zhvilluar ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës ndërkombëtare "Brighton Plus Helsinki", e cila synon promovimin e barazisë gjinore në sport, raporton Anadolu.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësuese të larta ndërkombëtare, përfshirë Annamarie Phelps, kryetare e Sekretariatit të Mbretërisë së Bashkuar dhe bashkëkryesuese e Komitetit Ekzekutiv Global të "IWG Women and Sport", përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare që merren me të drejtat e grave, si dhe sportistë.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi tha se barazia gjinore nuk është vetëm synim social apo moral, por domosdoshmëri për zhvillimin dhe suksesin e sportit modern. Ai tha se dhënia e mundësisë së grave dhe vajzave në sport është dhënie e mundësisë që sporti të bëhet më i drejtë, më kreativ dhe më i fortë.
"Ky është një moment i rëndësishëm për lëvizjen olimpike dhe për sportin kosovar në përgjithësi, sepse përmes këtij akti ne po konfirmojmë zotimin tonë për një sistem sportiv gjithëpërfshirës, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, pa dallim gjinie", theksoi Krasniqi.
Kryetarja e Sekretariatit të Mbretërisë së Bashkuar dhe bashkëkryesuese e Komitetit Ekzekutiv Global të "IWG Women and Sport", Annamarie Phelps tha se me gjithë pasiguritë dhe trazirat që po përballemi globalisht, është koha e duhur që kombet të forcojnë angazhimet e tyre për t'u dhënë të gjithëve mundësinë të përfitojnë nga sporti.
Ajo tha se për shumë kohë, në mbarë botën, sporti ka qenë një derë e mbyllur për shumë gra dhe vendimet që janë marrë për dekada i kanë përjashtuar ato.
"Tani është koha që sporti për vajza të bëhet diçka normale që vendimet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të marrin parasysh nevojat dhe ambiciet e tyre. Në çdo analizë të trendeve të ardhshme për sportin që kam lexuar gjatë këtij viti, janë theksuar tre tema kryesore. Këto u përsëritën edhe nga drejtuesja e sportit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) në Konferencën e Federatave Ndërkombëtare javën e kaluar. Ato janë, pa ndonjë rend të caktuar: brezi 'Gen Z', inteligjenca artificiale dhe të dhënat, dhe sporti i grave", tha ajo.
Përveç KOK-ut, dokumentin do ta nënshkruajnë edhe federata të ndryshme sportive, organizata joqeveritare që merren me të drejtat e grave si dhe universitete nga vendi.
Në mesin e të pranishmëve ishin edhe përfaqësues të federatave sportive dhe sportistë elitarë, ndër ta edhe kampionia olimpike Nora Gjakova.
