BALLKANI

Prishtinë, hapet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Me një video-mesazh të pranishmëve u është drejtuar në këtë forum edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Agim Sulaj  | 22.10.2022 - Përdıtësım : 23.10.2022
Prishtinë, hapet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Është hapur në Prishtinë Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë e organizuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, me pjesëmarrës nga 33 shtete të botës, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në hapjen e forumit ka thënë se zëri i grave është i domosdoshëm për paqen dhe se duhet të jetë e qartë për të gjithë se paqja mund të arrihet vetëm nëse edhe gratë ulen në tavolinat vendimmarrëse.

Osmani tha se të drejtat e gruas janë të kërcënuara edhe në vendet demokratike, në veçanti gratë në Ukrainë dhe Iran ku po luftojnë për paqe dhe kundër diskriminimit.

Presidentja e Kosovës përmendi se gjatë historisë, gratë kosovare kanë rezistuar, kanë marrë armët, dhe kanë marrë pjesë në negociata.

“Historia e Kosovës është histori e secilën grua e cila ka larguar një gur nga rruga drejt barazisë. Gra të cilat janë ballafaquar me rezistencën, me protestat në vitet e 90-ta për ta mbrojtur këtë vend. Gratë që kanë marrë pjesë në bisedime për paqe, që kanë mbijetuar dhunën seksuale dhe masakrat gjenocidale. Kampione të drejtësisë”, theksoi Osmani në forumin i cili tha se i dedikohet ish-sekretares së Shtetit amerikan Madeline Albright, të cilën e quajti “një person me rëndësi për lirinë e Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përshëndeti pjesëmarrësit e Forumit, duke theksuar se në historinë e Kosovës nuk ka pasur asnjë periudhë në të cilën gratë nuk janë përfshirë, ashtu siç janë përfshirë sot në ndërtimin dhe funksionimin e shtetit të Kosovës.

“Numri i grave dhe vajzave që shërbejnë në Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës është i konsiderueshëm, por duhet të ketë më shumë. Nuk ka garanci paqeje dhe sigurie pa gra. Një numër më i madh i grave në shërbimet e sigurisë nënkupton edhe promovim më të madh të të drejtave të njeriut dhe pakicave”, tha Kurti.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja për Çështjet Evropiane e Malit të Zi, Jovana Maroviq, tha se gratë në Ballkanin Perëndimor vuajnë nga shumë diskriminime dhe prandaj duhet të luftojnë për të drejtat e tyre themelore.

“Barazia gjinore është një e drejtë themelore e njeriut. Në disa pjesë të botës, grave ende u mungon arsimi bazë, gratë janë të diskriminuara në punësim dhe nuk janë të pranishme kur marren vendimet politike dhe ekonomike”, tha Maroviq.

Me një video-mesazh të pranishmëve u është drejtuar në këtë forum edhe sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken i cili tha se lufta në Kosovë ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, mes tiranisë dhe demokracisë.

Duke cituar fjalët e ish-sekretares Albright, Blinken, ai tha se “ne ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës”.

Sipas tij, kur Albright është pyetur se çfarë e bën krenare gjatë shërbimit të saj prej shumë dekadash, gjithmonë thoshte Kosova.

Blinken shtoi se Forumi i organizuar nga presidentja Osmani bashkon dy gjëra që i kishte shumë për zemër Sekretarja Madeleine Albright: popullin e Kosovës dhe fuqizimin e grave.

Po, ashtu, përmes një video-mesazhi të pranishmëve u është drejtuar edhe kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, e cila ka thënë me këtë rast se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar që gratë të mos mbesin jashtë agjendës së sigurisë së përgjithshme.

Ajo tha se BE-ja ka qenë gjithmonë e përkushtuar që të ndihmojë gratë duke punuar me OKB-në, NATO-n për fuqizimin e tyre.

Forumi synon të përçojë mesazhin se paqja dhe siguria e grave janë shtyllat qendrore të vizionit të Kosovës për paqe të qëndrueshme në nivel vendor, rajonal dhe global.

Në kuadër të forumit, i cili mbahet më 22 dhe me 23 tetor, do të zhvillohen 16 panele me tema për sigurinë, përfaqësimin e grave, përfaqësimin e të rinjve, përballjen me të kaluarën, drejtësinë tranzicionale, për dhunën ndaj grave e të tjera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.