BALLKANI

Prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta ftojnë partitë të zotohen se do t'ua përmbushin kërkesat

Në Maqedoninë e Veriut u organizua fushatë përmes së cilës partive politike u kërkohet të nënshkruajnë një dokument me të cilin zotohen se do të plotësojnë kërkesat kryesore të personave me nevoja të veçanta

Abdula Berisha  | 08.07.2020 - Përdıtësım : 09.07.2020
Prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta ftojnë partitë të zotohen se do t'ua përmbushin kërkesat ( Umeys Sulejman - Anadolu Agency )

Shkup

Disa shoqata të prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta në Maqedoninë e Veriut organizuan fushatë përmes së cilës kërkuan nga partitë politike të nënshkruajnë një dokument me të cilin zotohen se do të plotësojnë kërkesat kryesore të personave me nevoja të veçanta, raporton Anadolu Agencu (AA).

Nën moton "Fushata për të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta, fëmijë që na mësojnë dashuri pa kushte - Le të krijojmë një botë pa kufij", përfaqësues të shoqatave thanë se shpresojnë që të gjitha partitë politike do ta nënshkruajnë dokumentin e tyre në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara më 15 korrik.

Margarita Millosheska nga Gostivari, nënë e një vajze me paralizë cerebrale dhe koordinatore në Qendrën Burimore për Prindërit e Fëmijëve me Nevoja të Veçanta, tha se ndër kërkesat kryesore janë ndryshimi i ligjit për privimin e aftësive afariste të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe rritja e mjeteve shtetërore që i përfitojnë.

"Ne po zhvillojmë një lloj tjetër të fushatës, e quajtëm 'Fushata për të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta, fëmijë që na mësojnë dashuri pa kushte - Le të krijojmë një botë pa kufij'. Ne duam t'i detyrojmë partitë politike, sepse nuk duam më t'u besojmë fjalëve, të na japin nënshkrim me të cilin ata do të angazhohen për përmbushjen e kërkesave tona", tha Millosheska.

Suzana Stojanovska nga Shoqata për Rehabilitimin dhe Përfshirjen e Personave me Sindromën Down tha se kërkesat e tyre janë modeste në krahasim me nevojat që janë më të mëdha.

Ajo shtoi se situata me pandeminë e koronavirusit ua ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen e personave me aftësi të kufizuara.

"Me pandeminë që ka ardhur, fëmijët janë mbyllur në shtëpi. Kërkesat janë shumë modeste, ne i kemi rishikuar ato, i kemi shkurtuar në mënyë që me të vërtetë të mund të zbatohen", tha Stojanovska.

Përfaqësues të disa partive politike ishin të pranishëm në ngjarjen e organizuar dhe menjëherë nënshkruan dokumentin, duke u zotuar se do të plotësojnë kërkesat e personave me nevoja të veçanta, ndërsa organizatorët shpresojnë që dokumenti të nënshkruhet nga të gjitha partitë politike.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.