Prezantohen të dhënat e censit, popullsia banuese në Shqipëri është mbi 2,4 milionë banorë
"Censi vlerësoi në territorin shqiptar 2.402.113 banorë, të cilët përbëjnë 755.950 familje, me madhësi mesatare 3,2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1.082.529 banesa të zakonshme", tha drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT-it, Elsa Dhuli
Tiranë
Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) ka prezantuar të dhënat kryesore të "Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 në Shqipëri", ku rezulton se popullsia banuese në vend është mbi 2,4 milionë banorë, me rënie prej 420 mijë persona krahasuar me censin e vitit 2011, raporton Anadolu.
Në konferencën e organizuar në ambientet e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT-it, Elsa Dhuli, u shpreh se censi i vitit 2023 solli shumë inovacione, si përdorimin e teknologjisë së informacionit në mbledhjen e të dhënave, një sistem gjeohapësinor të digjitalizuar dhe monitorimin në kohë reale të ecurisë dhe cilësisë së mbledhjes të të dhënave.
"Ky cens vlerësoi në territorin shqiptar 2.402.113 banorë, të cilët përbëjnë 755.950 familje, me madhësi mesatare 3,2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1.082.529 banesa të zakonshme. Ky cens ka arritur qëllimin për të cilin u krye, ka justifikuar investimet afatgjata dhe mbështetjen financiare", tha Dhuli.
Ajo theksoi se gjatë tre dekadave të fundit, në demografinë e Shqipërisë kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme, të dallueshme nga njëra-tjetra, dhe kjo e fundit e shoqëruar edhe me zhvillime në sferat socio-ekonomike.
Sipas të dhënave të censit, 50,4 për qind e popullsisë e përbëjnë femrat dhe 49,6 për qind meshkujt, ndërsa mosha mesatare në Shqipëri rezultoi 42,5 vjeç.
Popullsia banuese sipas përkatësisë etnike rezulton: 2.186.917 shqiptarë, 23.485 grekë, 2.281 me përkatësi të Maqedonisë së Veriut, të përkatësisë malazeze 511, arumune 2.459, rome 9.813, egjiptiane 12.375, boshnjake 2.963, serbe 584, bullgare 7.057, tjetër grup etno-kulturor 3.798, grup etno-kulturor i përzier 770, asnjë përkatësi 1.142, kanë preferuar të mos përgjigjem 13.507, ndërkohë nuk disponohen të dhëna për përkatësinë etnike për 134.451 banorë.
Sa i përket besimit fetar, myslimanë janë deklaruar 1.101.718 banorë, bektashi 115.644, të krishterë katolikë 201.530, të krishterë ortodoks 173.645, të krishterë ungjillore (protestant) 9.658, tjetër besim fetar 3.670, Besimtarë të pacilësuar 332.155, ateistë 85.311 dhe nuk janë përgjigjur për besimin fetar 244.331 persona.
Përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare (31,6 për qind) banon në qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10,0 për qind, ndjekur nga qarku i Elbasanit me 9,7 për qind.
Nga popullsia banuese në Shqipëri, 99,4 për qind kanë shtetësi shqiptare, ndërkohë pjesa tjetër prej 0,6 për qind përbëhet nga individë me shtetësi të huaj ose pa shtetësi.
"Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023", u realizua nën organizimin e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), nga 18 shtatori-15 nëntor 2023. Censi kishte si qëllim të ofronte të dhëna mbi popullsinë rezidente në Shqipëri, karakteristikat demografike, sociale dhe ekonomike, të dhëna të nevojshme për të vlerësuar dinamikat e popullsisë, ndryshimet demografike të popullsisë, si dhe të dhëna për karakteristikat e banesave.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
