Presidentja sllovene: Stabiliteti rajonal dhe pajtimi janë themelet e së ardhmes evropiane
Në përfundim të punimeve të samitit që u mbajt në Golem, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat

Kavajë
Në Shqipëri u mbajt sot samiti i liderëve të vendeve të Procesit Bërdo-Brijuni, ku në fokus ishin çështjet që prekin rajonin, si dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu.
Në përfundim të punimeve të samitit që u mbajt në Golem të Kavajës, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.
- Begaj: Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të bashkëpunimit rajonal
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka deklaruar se ky samit përfaqëson një platformë të rëndësishme rajonale për shkëmbimin e ideve dhe vizioneve mbi të ardhmen e rajonit tonë.
Ai theksoi se bashkë me liderët e tjerë të rajonit diskutuan mbi sfidat aktuale gjeopolitike dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal. "Në samitin e sotëm, theksuam se Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike. Megjithatë rajoni ynë përballet me sfida, sfida të sigurisë të cilat kërkojnë rritje të bashkëpunimit", tha Begaj.
Begaj u shpreh se Shqipëria mbështet dialogun rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, sipas tij, elementë thelbësorë për ruajtjen e paqes, zhvillimit ekonomik dhe integrimin rajonal
Ai tha se Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm në udhëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE. Begaj shtoi se Shqipëria synon të përfundojë negociatat teknike deri në vitin 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.
"Aspirata e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një mision kombëtar. Integrimi në BE gëzon mbështetjen e gjerë të shoqërisë shqiptare, pasi pasqyron vlerat themelore të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Këto vlera përbëjnë themelet e së ardhmes evropiane që Shqipëria po ndërton me vendosmëri", tha Begaj.
Begaj shtoi ndër të tjera se Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për vendet e rajonit përbën një mundësi të çmuar për zhvillim ekonomik.
Presidentja sllovene Pirc Musar falënderoi homologun e tij shqiptar, Begaj, për organizimin e samitit. "Shpreh mirënjohjen time më të thellë për të gjithë presidentët e vendeve të rajonit që morën pjesë në samitin e sotëm. Ky forum ka dëshmuar që nga viti 2010 se vendet e rajonit mund të krijojnë hapësirë për dialog", tha ajo.
Duke vënë në dukje se shpresojnë të vazhdojnë bashkëpunimin me vendet e rajonit brenda fushëveprimit të procesit Bërdo Brijuni, Pirc Musar tha se problemi i ndryshimeve klimatike dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor nuk mund të injorohet.
Ajo tha se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabiliteti rajonal dhe pajtimi janë themelet e së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor. "Këtu po ndërtojmë të ardhmen evropiane të rajonit. Unë besoj se vetëm së bashku mund ta arrijmë këtë të ardhme, e cila do të sjellë stabilitet, prosperitet dhe, mbi të gjitha, mundësi të reja për qytetarët tanë", tha Pirc Musar.
- "BE-ja nuk është më aq e fortë sa mendohej deri kohët e fundit"
Milanoviq nga ana e tij shprehu ngushëllime për alpinistët kroatë që humbën jetën në Slloveni dhe vuri në dukje se Kroacia do të vazhdojë të mbështesë vendet në rajon.
Ai theksoi rëndësinë e forumit në aspektin e dialogut midis vendeve të rajonit, duke thënë: "Ky Forum është një dialog që thekson veçanërisht marrëdhëniet e mira dhe është i vlefshëm".
Duke theksuar rëndësinë e forumit në ekspozimin e problemeve të BE-së, Milanoviq: "Një nga problemet më të mëdha të BE-së është pamundësia e udhëheqësve të vërtetë evropianë për të komunikuar me aktorët globalë. BE-ja nuk është më aq e fuqishme sa besohej deri kohët e fundit".
Përveç presidentëve Begaj, Musar dhe Milanoviq, pjesë e samitit ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljko Komshiq, si dhe anëtarët e Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq dhe Zhelka Cvijanoviq.
Procesi i Bërdo-Brijunit është një nismë rajonale e iniciuar nga Sllovenia dhe Kroacia dhe pjesë janë dhe shtete të tjera nga Ballkani.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.