BALLKANI

Presidentja Siljanovska-Davkova uron qytetarët shqiptarë me rastin e Ditës së Alfabetit

Presidentja e Maqedonisë së Veriut tha se gjuha shqipe është pjesë e mozaikut të pasur të diversitetit që përbën një investim për të ardhmen e “atdheut të përbashkët”.

Shpetim Hiseni  | 22.11.2025 - Përdıtësım : 22.11.2025
Presidentja Siljanovska-Davkova uron qytetarët shqiptarë me rastin e Ditës së Alfabetit

Shkup

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka dërguar një mesazh urimi me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke e cilësuar këtë datë si simbol të rëndësishëm të përpjekjeve arsimore, pjekurisë kulturore dhe historisë së shqiptarëve, transmeton Anadolu.

“117 vjet më parë, alfabeti i unifikuar filloi udhëtimin e tij që nga Kongresi në Manastir, si kodi më i rëndësishëm i komunikimit të një populli, në mënyrë që sot të kujtojmë se gjuha dhe shkrimi janë vlera themelore që formësojnë identitetin kolektiv dhe forcojnë lidhjen shpirtërore midis brezave”, ka thënë Siljanovska-Davkova në mesazhin e saj drejtuar qytetarëve shqiptarë.

Siljanovska-Davkova vlerësoi se respekti ndaj gjuhës dhe shkrimit të çdo komuniteti e forcon kohezionin shoqëror dhe e bashkon shoqërinë multietnike të vendit. Ajo shtoi se gjuha shqipe është pjesë e mozaikut të pasur të diversitetit që përbën një investim për të ardhmen e “atdheut të përbashkët”.

Presidentja gjithashtu shprehu mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të qytetarëve shqiptarë në zhvillimin e arsimit dhe kulturës, duke theksuar se ky kontribut e pasuron shoqërinë e Maqedonisë së Veriut.

“Gëzuar Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Vazhdojmë së bashku ta ndërtojmë shtetin në frymën e respektit, barazisë dhe unitetit”, përfundon mesazhi i saj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.