Presidentja Siljanovska-Davkova në Paris: Integrimi evropian është dialog, jo diktat
Presidentja maqedonase tha se nuk duhet "të lihemi në një vakum gjeopolitik" dhe riafirmoi qëndrimin se zgjerimi i BE-së është një çështje e sigurisë, jo vetëm një çështje zgjerimi
Shkup
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në një sesion të mbajtur në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, ka theksuar rëndësinë thelbësore të bashkëpunimit rajonal dhe ka bërë thirrje për mirëkuptim dhe dialog, duke u shprehur se "integrimi evropian nuk mund të jetë diktat, por më tepër një dialog", transmeton Anadolu.
Siç njofton Presidenca e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova mbajti një fjalim në sesionin kushtuar të rinjve dhe perspektivës evropiane në Ballkan.
"Bashkëpunimi rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua. Nuk mund të ikim nga rajoni, ai është fati ynë, kjo vlen jo vetëm për ne që ende presim të bëhemi kandidatë ose t'i përfundojnë disa vende negociatat e tyre me BE-në, por edhe për ata që janë tashmë në BE dhe i përkasin rajonin tonë", tha Siljanovska-Davkova pas përfundimit të sesionit.
Në sesion, njoftojnë nga Presidenca, Siljanovska-Davkova foli edhe për situatën e sigurisë në Evropë. Ajo tha se nuk duhet "të lihemi në një vakum gjeopolitik" dhe riafirmoi qëndrimin se zgjerimi i BE-së është një çështje e sigurisë, jo vetëm një çështje zgjerimi.
"Ajo që është e çuditshme është se në vitin 2019 rregullat e lojës u ndryshuan në mes të lojës, gjë që nuk është e pazakontë as për garat sportive dhe as në negociatat politike, sepse u prezantua një metodologji e re", tha Siljanovska-Davkova.
Sipas saj, është në interes të stabilitetit rajonal, demokracisë rajonale, por edhe për BE-në që ta shohin rajonin si një "sistem i enëve të ndërlidhura" dhe të ndërmarrin një hap të guximshëm si ai i vitit 2004, përkatësisht "të tregojnë inovacion në krijimin e zgjidhjeve përfundimtare për të ashtuquajturin Ballkani Perëndimor, si pjesë integrale e Evropës".
