Presidentja Osmani zhvilloi takim konsultativ me kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj
Takimi vjen pasi një ditë më herët, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka paralajmëruar se gjatë fundjavës mund të arrihet marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje.

Prishtinë
Në kuadër të konsultimeve me subjektet politike parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Presidentes, ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik.
“Presidentja Osmani theksoi se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe potencoi rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit, në interes të qytetarëve dhe funksionimit demokratik të shtetit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, takimi presidentes Osmani me Limajn, partia e të cilit ka tre deputetë në Kuvendin e Kosovës, vjen pasi një ditë më herët, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka paralajmëruar se gjatë fundjavës mund të arrihet marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Izmaku ka thënë se marrëveshja mund të arrihet me kushtin që kreu i Nismës, Fatmir Limaj, të jetë Kryetar i Kuvendit.
“Presim që në fundjavë të ketë një epilog pozitiv, të shpresojmë që kjo marrëveshje, këto bisedime që kanë shkuar me muaj të tërë të prodhojnë një rezultat pozitiv dhe Kosova të ketë institucione”, tha Izmaku.
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet për 49-të herë me radhë për shkak të votave jo të mjaftueshme për emërimin e kreut të këtij institucioni, i cili më pas do t’i hapte rrugë edhe formimit të qeverisë së re.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.