Presidentja Osmani viziton Shqipërinë për festimet për Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, morën pjesë në aktivitetin "Sofra e Pavarësisë" në qytetin e Shkodrës
Tiranë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, iu bashkuan aktiviteteve në Shkodër për 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, transmeton Anadolu.
Në një reagim në rrjetet sociale, Osmani ka shkruar se është kënaqësi që viziton Shkodrën në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, sipas saj, “ditës që i bashkon në një zemër të vetme të gjithë shqiptarët, kudo që janë”.
Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet se Spiropali mirëpriti me një mesazh presidenten Osmani.
Nga aktiviteti "Sofra e Pavarësisë", Spiropali deklaroi se "sot më shumë se kurrë më parë, Shkodra qëndron e palëkundur si një simbol i pathyeshëm i unitetit e bashkimit kombëtar".
"Sofra e shqiptarit i përket mikut. Asnjë shprehje nuk rrok më fort shpirtin tonë të mikpritjes. Veçse, ju, e nderuar Vjosë, në këtë qytet vërtet jeni mike, por jo mysafire. Sepse ju, ashtu si të gjithë bashkëkombësit tuaj, vëllezërit e të njëjtit gjak, këtu jeni në shtëpinë tuaj", tha Spiropali, duke iu drejtuar presidentes së Kosovës.
Ministrja Spiropali shtoi se "zotimi ynë më i madh, në këtë 28 nëntor, është që ta shndërrojmë flamurin tonë në flamurin e 28-të që valëvitet krenar në Bruksel".
"Sot, jemi më pranë se kurrë përmbushjes së aspiratës mbarëkombëtare të shqiptarëve, atyre që sot jetojnë këtë moment historik, por edhe të gjithë paraardhësve tanë. Por, për të bërë realitet, duhet të vazhdojmë me kokëfortësi rrugën e reformave, forcimin e shtetit të së drejtës, modernizimin e ekonomisë, afrimin e standardeve tona me ato evropiane", tha Spiropali.
Në Shqipëri shënohet me 28 nëntor Dita Flamurit dhe e Pavarësisë. Aktivitetet kryesore me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë do të organizohen në qytetin e Vlorës dhe në kryeqytetin e vendit, Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
