Presidentja Osmani u prit në Kopenhagë nga mbreti dhe mbretëresha e Danimarkës
“Faleminderit Lartmadhërive të Tyre, Mbretit dhe Mbretëreshës së Danimarkës, për mikpritjen e ngrohtë në Kopenhagë para fillimit të Samitit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian", shkroi presidentja Osmani

Prishtinë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po e përfaqëson Republikën e Kosovës në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili këtë edicion mbahet në Kopenhagë, Danimarkë, transmeton Anadolu.
Para fillimit të samitit, presidentja Osmani u prit nga Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës.
"Faleminderit Lartmadhërive të Tyre, Mbretit dhe Mbretëreshës së Danimarkës, për mikpritjen e ngrohtë në Kopenhagë para fillimit të Samitit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian", shkroi presidentja Osmani.
Osmani po merr pjesë në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian bashkë me 45 liderë evropianë përfshirë edhe ata të institucioneve të BE-së.
Komuniteti Politik Evropian (EPC) është një platformë për liderët evropianë ku diskutohen çështjet kryesore me të cilat përballet kontinenti.
I nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.