BALLKANI

Presidentja Osmani tërheq kërkesën për sqarim nga Kushtetuesja, shkak gjyqtari që "rrezikon sigurinë e vendit”

Osmani tha se tërheqjen e lëndës drejtuar Kushtetueses e ka bërë pasi ka marrë informata se pjesë e atyre që e vlerësojnë kërkesën e saj është gjyqtari serb, Radomir Llaban

Agim Sulaj  | 05.08.2025 - Përdıtësım : 05.08.2025
Presidentja Osmani tërheq kërkesën për sqarim nga Kushtetuesja, shkak gjyqtari që "rrezikon sigurinë e vendit” Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka tërhequr kërkesën e 2 korrikut drejtuar Gjykatës Kushtetuese për sqarime lidhur me atë se çfarë ndodh nëse deputetët nuk arrijnë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës deri më 26 korrik, sipas afatit kushtetues, për shkak të gjykatësit Radomir Llaban, i cili sipas presidentes “rrezikon sigurinë e shtetit”, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media nga Presidenca e Kosovës, Osmani tha se tërheqjen e lëndës drejtuar Kushtetueses e ka bërë pasi ka marrë informata se pjesë e atyre që e vlerësojnë kërkesën e saj është gjyqtari serb, Radomir Llaban.

Osmani tha se ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit të Republikës së Kosovës.

“Është thellësisht shqetësuese se si një gjyqtar për të cilin institucionet tona të sigurisë zyrtarisht kanë dorëzuar informata se rrezikon shtetin tonë, t’i lihet në dorë ta përcaktojë fatin e rendit tonë kushtetues”, theksoi Osmani.

Ajo tha se informacionet që kanë për këtë gjyqtar nuk janë informacione të thjeshta, por janë informacione mjaft shqetësuese.

Osmani theksoi se tani u mbetet në dorë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të parashtrojnë kërkesë për sqarim, me shpresë që aty nuk do të qëlloj përsëri gjyqtari Llaban në shqyrtimin e këtyre kërkesave.

“Kemi vlerësuar se më shumë bëjmë dëm se sa dobi, meqë e lëmë lëndën në duart e një gjyqtari që trason rrugën përpara dhe ka rol ky edhe në përcaktimin e meritave të atij vendimi. Tani ka gjasa që shumë çështje do të mbesin të paqarta. Unë dua t’i inkurajoj deputetët e Republikës së Kosovës të cilët edhe kanë mandat të plotë që t’i adresohen Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Osmani.

Presidentja kosovare tha se bëhet fjalë për disa informacione të mbledhura, të ndara midis institucioneve kosovare në vitin 2018, 2021 dhe 2024, të veprimeve të tij, të cilat nuk i ka ndarë me opinionin publik për shkak se konsideroi se ato janë ende “informacione të klasifikuara”.

Llaban, sipas presidentes Osmani, është gjyqtar që është emëruar në vitin 2018 nga presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi.

Pak para emërimit të Llabanit në postin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, presidenti i atëhershëm, Thaçi, kërkoi verifikim shtesë për shkak të së kaluarës së tij të dyshimtë, por në fund ai u zgjodh gjyqtar për një mandat 9-vjeçar.

Llaban gjendet në Kosovë që nga viti 2011, pasi kishte ikur nga Serbia, ku ishte dënuar me gjashtë vjet burg për shkak se ishte pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore”, një grup i të dyshuarve për pranimin dhe dhënien e ryshfetit, shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe falsifikimit të dokumenteve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.