Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidentin e Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në margjinat e edicionit të katërt të Forumit Diplomatik në Antalya (ADF2025), transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani tha se populli i Kosovës dhe populli i Sirisë në luftën e tyre për të qenë të lirë kanë përjetuar vuajtje të panumërta nga regjime diktatoriale e gjenocidale.
“Sot, me presidentin e Sirisë së lirë, Ahmed al-Sharaa, kishim takimin tonë të parë për të hapur kapituj të ri bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona. Kosova dhe Siria ndajnë plagë të njëjta: dhimbjen e luftës, shpërnguljen dhe sfidat e rindërtimit, ndaj Kosova është e gatshme ta ndajë përvojën e saj në ndërtimin e institucioneve demokratike”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani po merr pjesë në ADF2025 me ftesë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Forumi i këtij viti, me temën "Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar", synon t'i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.
ADF2025 është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
