BALLKANI

Presidentja Osmani shpall Glauk Konjufcën mandatar të ri për formimin e Qeverisë së Kosovës

“Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Glauk Konjufca, kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo u takon atyre që t’i bëjnë votat, Mua më takon që të bindem dhe ata më kanë bindur se kanë gjasa", theksoi Osmani

Agim Sulaj  | 04.11.2025 - Përdıtësım : 04.11.2025
Presidentja Osmani shpall Glauk Konjufcën mandatar të ri për formimin e Qeverisë së Kosovës Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se e ka mandatuar Glauk Konjufcën si të propozuarin e dytë për formimin e qeverisë së vendit nga radhët e partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit 2025, respektivisht Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media nga Presidenca një ditë para afatit të fundit kushtetues, presidentja Osmani tha se tashmë e ka pranuar emrin e Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje si kandidat të dytë nga kjo parti.

Osmani tha se askund në Kushtetutë dhe askund në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kërkohen garanci për formimin e qeverisë së re, por kërkohen gjasa të cilat i ofrohen presidentes.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Glauk Konjufca, me të cilin sapo e përfundova takimin, kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo u takon atyre që t’i bëjnë votat, Mua më takon që të bindem se ata kanë gjasa dhe ata më kanë bindur se kanë gjasa”, theksoi Osmani.

Osmani tha se pozita e saj si presidente e vendit është që t’i shmangë sa më shumë zgjedhjet e parakohshme dhe në këtë kuptim i ka dhënë të drejtën kushtetuese Lëvizjes Vetëvendosje edhe për shfrytëzimin e mundësisë së dytë për formimin e qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës.

Më 26 tetor, i mandatuari i parë, Albin Kurti, nuk mori votat e nevojshme nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për formimin e qeverisë së re, por nga kjo parti shprehën vullnetin që ta shfrytëzojnë edhe një tjetër kandidat.

Tani për votimin e Konjufcës në krye të qeverisë së re janë 10 ditë kohë që deputetët t’i japin votën për ose kundër.

Nëse Konjufca nuk zgjidhet kryeministër i ri i vendit, partitë tjera shqiptare e kanë bërë të qartë se nuk kanë propozim për kryeministër dhe janë për zgjedhje të reja parlamentare.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tre partitë më të mëdha shqiptare, sot gjatë ditës deklaruan se propozimi i Konjufcës për kryeministër do të jetë vetëm "humbje kohe", sepse ai nuk i ka siguruar votat e nevojshme, respektivisht mbështetjen e të paktën 61 nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.