Presidentja Osmani përfundon mandatin 5-vjeçar, i dorëzon detyrën kryeparlamentares Haxhiu
Presidentja Osmani ia dorëzoi detyrën kryeparlamentares Haxhiu, e cila do të jetë ushtruese e detyrës së presidentes për shkak se Kuvendi i Kosovës dështoi ta emërojë një president të ri para se t’i skadojë mandati presidentes
Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përfunduar mandatin 5-vjeçar si presidente e vendit, duke ia dorëzuar detyrën kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, raporton Anadolu.
Në një ceremoni zyrtare në Zyrën e Presidentes në Prishtinë, Osmani ja dorëzoi detyrën Haxhiut, e cila do të jetë ushtruese e detyrës së presidentes për shkak se Kuvendi i Kosovës dështoi ta emërojë një president të ri para se t’i skadojë mandati presidentes Osmani, më 4 prill 2026.
Osmani tha se gjithnjë ka qenë dëshirë e saj që kur ta lë detyrën e presidentes, t’ia lë një gruaje tjetër, me besimin që gratë të tregojnë kujdes të veçantë ndaj institucioneve dhe ndaj çdo qytetari.
“Ju dëshiroj shumë suksese përgjatë kohës që ju do të qëndroni këtu si ushtruese e detyrës. Nuk do të jetë punë e lehtë. Edhe unë i kam provuar të dyja, në 2020 dhe 2021, të jem edhe kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së presidentes. Sado që të dyja detyrat kanë sfida të veta, të jesh kreu i shtetit, njëkohësisht të udhëheqësh politikë të jashtme të vendit dhe ushtrinë e vendit dhe shumë detyra tjera, duke filluar nga përfaqësimi i unitetit të popullit, janë përgjegjësi e jashtëzakonshme”, tha Osmani.
Ajo tha se shpreson që Kuvendi i Kosovës sa më shpejtë të zgjedhë një president apo presidente të re, me shpresë që të ketë stabilitet institucional.
Osmani tha se edhe pse po e lë pozitën e presidentes, ajo është në dispozicion të plotë të Haxhiut dhe Presidencës, për çdo informatë dhe mbështetje që ka nevojë shteti.
Kryeparlamentarja Haxhiu, nga ana e saj, tha se Kuvendi ka punë para vetes dhe se duhet të zgjidhet sa më shpejtë presidenti i ri. Ajo po ashtu tha se është e hapur të bashkëpunojë me Osmanin.
“Me këtë rast unë sërish i bëj thirrje grupeve parlamentare, deputetëve të Republikës së Kosovës, që sa më parë të ketë një zgjidhje për çështjen e presidentit dhe t’i lënë anash inatet, dallimet politike dhe t’i vazhdojnë ato pasi ta kryejnë këtë obligim kushtetues. Por deri atëherë do të angazhohem maksimalisht që përgjegjësitë që ka presidenti t’i kryejë me seriozitetin dhe profesionalizimin më të lartë”, tha Haxhiu.
Në fund të fjalëve, Osmani ia dorëzoi Haxhiut simbolikisht Kushtetutën e Kosovës, e cila zyrtarisht e merr mandatin e ushtrueses së detyrës së presidentes nga mesnata.
Osmani u zgjodh presidente në prill 2021, pas fitores së kryeministrit Albin Kurtit dhe bashkëpunimit të tyre politik, duke u bërë presidentja e gjashtë e Kosovës. Edhe pse kishte shprehur synimin për një mandat të dytë, mungesa e mbështetjes nga partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe nga opozita e bënë të pamundur rizgjedhjen e saj, me arsyetimin se nuk do t’i siguronte 80 votat e nevojshme në Kuvend.
Gjatë mandatit, Osmani u dallua sidomos për përpjekjet diplomatike, duke siguruar njohje të reja për Kosovën nga Bahamet, Sudani, Kenia dhe Siria në vitin 2025, pas një periudhe stagnimi që nga njohja nga Izraeli në vitin 2021. Pavarësisht dështimit për t’u rizgjedhur, ajo ka paralajmëruar se do të mbetet aktive në politikë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
