Presidentja Osmani priti në takim dy ministret nga Belgjika
Sipas presidentes Osmani, bashkëpunimi i ngushtë në mes Kosovës dhe Belgjikës në drejtësi, siguri dhe mbrojtje është model i partneritetit evropian që forcon paqen, stabilitetin dhe perspektivën e përbashkët

Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministren e Drejtësisë të Belgjikës, Annelies Verlinden dhe ministren e Azilit dhe Migrimit të këtij shteti, Anneleen Van Bossuyt, raporton Anadolu.
Në takimin që u zhvillua në Zyrën e Presidentes së Kosovës, bëhet e ditur se palët diskutuan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sigurisë, sundimit të ligjit, mbrojtjes si dhe për procesin e integrimit evropian.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës dhe theksoi se Belgjika mbetet një nga partneret më të besueshme dhe më parimore të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s.
Në këtë kontekst, Osmani theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke nënvizuar se institucionet e vendit janë plotësisht të përkushtuara në zbatimin e reformave që forcojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe llogaridhënien.
Në raport me rrugën e Kosovës për integrim në BE, Osmani shtroi nevojën që Belgjika ta marrë rolin udhëheqës për ta shtyrë përpara aplikimin e Kosovës në BE. Sipas presidentes Osmani, bashkëpunimi i ngushtë në mes Kosovës dhe Belgjikës në drejtësi, siguri dhe mbrojtje është model i partneritetit evropian që forcon paqen, stabilitetin dhe perspektivën e përbashkët.
Dy ministret belge, vizituan paraprakisht Shqipërinë të hënën, kur edhe u bë e ditur nga disa media të huaja se Belgjika ka nisur një mision diplomatik në Shqipëri dhe Kosovë për të diskutuar mundësinë e transferimit të të burgosurve të huaj, veçanërisht atyre që janë migrantë të paligjshëm, për të lehtësuar mbipopullimin në burgjet belge.
Kosova tashmë ka një marrëveshje për dhënien me qira të qelive për Danimarkën, e cila do të vendosë të burgosurit e saj të parë në Gjilan gjatë vitit 2027. Nga marrëveshja dhjetëvjeçare e cila parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez, Kosova do të përfitojë 200 milionë euro.