BALLKANI

Presidentja Osmani priti në Kosovë kryediplomatin gjerman Johann Wadephul

Osmani tha se Republika Federale e Gjermanisë ka qenë dhe mbetet aleat historik dhe tradicional i popullit të Kosovës

Agim Sulaj  | 18.11.2025 - Përdıtësım : 18.11.2025
Presidentja Osmani priti në Kosovë kryediplomatin gjerman Johann Wadephul Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, raporton Anadolu.

Pas takimit që zgjati rreth një orë, Osmani tha se vizita e ministrit gjerman është dëshmi e qasjes gjermane se BE-ja mbetet e paplotë pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor.

Osmani tha se Republika Federale e Gjermanisë ka qenë dhe mbetet aleat historik dhe tradicional i popullit të Kosovës dhe se populli i Kosovës e sheh Gjermaninë si “mikun më të afërt dhe aleatin më të besueshëm në gjithë kontinentin evropian”.

Presidentja kosovare tha se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj orientimit të saj strategjik, në anëtarësimin në NATO, BE, Këshillin Evropian dhe çdo organizatë ndërkombëtare.

“Shpresojmë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet në Komisionin Evropian me qëllim që edhe vendit tonë t’i hapet rruga zyrtarisht drejt anëtarësimit final. Në të gjitha këto procese, besojmë se roli i Gjermanisë është vendimtar”, tha Osmani, e cila po ashtu theksoi se masat e BE-së të vendosura ndaj Kosovës duhet të largohen me urgjencë.

Sipas presidentes Osmani, përderisa Kosova mbetet nën masat e BE-së, as dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga BE-ja, nuk është i barabartë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Johann Wadephul, në fjalën e tij në konferencë për media tha se Gjermaninë dhe Kosovën i lidh një partneritet shumë i ngushtë.

Ai kujtoi se vetëm disa ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Gjermania e ka njohur Kosovën, derisa vendi i tij vazhdon të jetë partneri dhe investitori më i madh i Kosovës.

Ministri gjerman tha se për të gjitha temat që ka diskutuar me presidenten Osmani, sillen rreth sigurisë dhe të ardhmes së kontinentit evropian.

“Është mirë që Kosova është në anën tonë. Ne të gjithë, qofshim anëtarë të BE-së apo jo, duhet t’ia bëjmë të qartë Rusisë që destabilizimi, dezinformimi dhe manipulimi nuk kanë vend në kontinentin tonë. Përpjekjeve për destabilizim i përgjigjemi me një Evropë të bashkuar”, tha Wadephul.

Tutje, ministri gjerman tha se zhvillimi i Kosovës që nga përfundimi i luftës nga 1999 dhe nga pavarësia në 2008 është një histori e vërtetë suksesi, por, në mënyrë që suksesi të vazhdojë, ministri Wadephul tha se Kosovës i duhet formimi i një qeverie të re.

Ai tha se Gjermania është e gatshme ta ndihmojë Kosovën në rrugëtimin evropian.

Duke folur për raportet e Kosovës me Serbinë, ministri gjerman kërkoi zbatim të Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të Ohrit dhe po ashtu kërkoi marrjen e hapave të nevojshme për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai shtoi se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur kohët e fundit dhe theksoi se është e nevojshme që ai të vazhdojë me vullnetin për mirëkuptim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.