BALLKANI

Presidentja Osmani pritet në takim nga homologu i Letonisë

- Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes së Kosovës, Osmani në takim me homologun e saj nga Letonia ka zhvilluar diskutime përmbajtësore me vullnet të përbashkët për bashkëpunim të thelluar

Agim Sulaj  | 15.07.2025 - Përdıtësım : 16.07.2025
Presidentja Osmani pritet në takim nga homologu i Letonisë Foto: Zyra e Presidentes

Prishtinë

PRISTHINË (AA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga Presidenti i Republikës së Letonisë, Edgars Rinkevics, gjatë qëndrimit të saj në Letoni, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Presidentes së Kosovës, Osmani në takim me homologun e saj nga Letonia ka zhvilluar diskutime përmbajtësore me vullnet të përbashkët për bashkëpunim të thelluar.

"Në takim me Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics e falënderova për përkrahjen e jashtëzakonshme ndaj Kosovës në çdo fazë të shtetndërtimit dhe për zërin e fuqishëm në mbështetje të rrugës sonë euroatlantike", tha Osmani.

Osmani tha se ekonomia, siguria e fusha të tjera të interesit të ndërsjellë "janë natyrshëm kapituj të rinj të bashkëpunimit mes dy shteteve tona që mbrojnë vlera të përbashkëta".

Gjatë vizitës njëditore në Letoni, presidentja Osmani do të vizitojë edhe Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), do të zhvillojë po ashtu edhe takime me përfaqësues të Odës Ekonomike të Letonisë, si dhe do të ketë një diskutim me ekspertë dhe akademikë për politikat që garantojnë paqe dhe siguri të qëndrueshme.

Vizita e Osmanit synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore me Letoninë, avancimin e bashkëpunimit bilateral në fushat e politikës së jashtme, mbrojtjes e sigurisë, ekonomisë, integrimit euroatlantik, si dhe shkëmbimit të përvojave në fuqizimin e institucioneve demokratike.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın