Presidentja Osmani: Një kapitull i ri ka filluar mes Kosovës dhe Sirisë
“Këtë vit, një kapitull i ri ka filluar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Arabe të Sirisë, me një njohje të ndërsjellë mes dy vendeve tona”, tha Osmani, në mesazhin e saj të urimit për me rastin e Ditës së Lirisë në Siri
Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar popullin sirian me rastin e Ditës së Lirisë, në përvjetorin e parë të rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit, transmeton Anadolu.
Presidentja Osmani nëpërmjet rrjetit social amerikan “X”, tha se që të dyja, Kosova dhe Siria, kanë njohur kapitujt më të errët të shtypjes, padrejtësisë dhe vuajtjeve të paimagjinueshme, por sipas saj ka njohur atë se çfarë do të thotë të ngrihesh përsëri, të shndërrosh dhimbjen në qëllim dhe forcë.
“Ne kemi qëndruar të palëkundur në besimin tonë se asnjë forcë nuk mund ta shuajë dëshirën e një populli për liri. Dhe kemi mësuar se drejtësia, edhe kur vonohet, gjithmonë gjen një zë”, tha Osmani.
Osmani tha se është pikërisht ky shpirt i përbashkët i qëndrueshmërisë, dinjitetit dhe shpresës që i lidh Kosovën me Sirinë.
“Këtë vit, një kapitull i ri ka filluar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Arabe të Sirisë, me një njohje të ndërsjellë mes dy vendeve tona. Kjo njohje është një lidhje morale mes dy popujve që e kuptojnë koston e lirisë dhe vlerën e të qëndruarit krah për krah për një botë më të drejtë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se institucionet kosovare janë të entuziazmuar për atë që presin nga partneriteti me Sirinë dhe Republika e Kosovës është e përkushtuar të punojë ngushtë me Sirinë në vitet që vijnë, duke i afruar dy kombet edhe më shumë në miqësi dhe bashkëpunim.
Osmani në fund theksoi se Kosova qëndron me Sirinë dhe do të jetë partneri, miku dhe aleati i saj në çdo hap të rrugës.
Në Siri, 8 dhjetori, dita kur ra regjimi i Bashar Al-Assadit u shpall festë kombëtare në të gjithë vendin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
