Presidentja Osmani mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese: "Konfirmon qëndrimet juridike të Presidencës"
Sipas Presidencës, Gjykata në asnjë pjesë të aktgjykimit nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga Presidentja, por përkundrazi, ka sqaruar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por dështimi për zgjedhjen e Presidentit të ri
Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese duke vlerësuar se vendimi konfirmon qëndrimet juridike të Presidencës dhe se nuk është konstatuar asnjë shkelje kushtetuese nga ana e saj, transmeton Anadolu.
Në një reagim zyrtar, Presidenca theksoi se Gjykata, në paragrafët 153, 155 dhe 190 të aktgjykimit, ka konfirmuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të paraparë në nenin 86.2 të Kushtetutës, duke e cilësuar këtë të fundit si përfundimtar dhe detyrues.
Sipas Presidencës, Gjykata në asnjë pjesë të aktgjykimit nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga Presidentja, por përkundrazi, ka sqaruar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri.
“Dekreti është thjesht formalizim i një situate ekzistuese”, thuhet në reagim, duke shtuar se përgjegjësia për zgjedhjen e Presidentit bie mbi deputetët e Kuvendit.
Tutje, bëhet e ditur se Gjykata ka interpretuar një rrethanë përjashtuese për këtë rast specifik, duke sqaruar se në të ardhmen procedura për zgjedhjen e Presidentit nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
Presidentja ka mirëpritur gjithashtu afatin 34-ditor të dhënë nga Gjykata për deputetët e Kuvendit dhe u ka bërë thirrje që urgjentisht ta përmbushin këtë detyrim kushtetues.
Në reagim theksohet se dhënia e këtij afati nuk ka qenë në kompetencën e Presidentes, por se dekreti i saj ka hapur rrugën për sqarimin përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Presidenca ka kritikuar deklaratat politike për shkelje të pretenduara kushtetuese, duke i cilësuar ato si keqlexim të aktgjykimit dhe politizim të situatës.
Në fund, është bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të caktojë sa më parë seancën për zgjedhjen e Presidentit të ri, me qëllim sigurimin e stabilitetit institucional në vend.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
