Presidentja Osmani mandaton Albin Kurtin për formimin e qeverisë së re
"Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim”, tha presidenca

Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese ka nënshkruar dekretin, me të cilin ka mandatuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së Kosovës, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Presidentes, ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila me 48 mandate ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti.
“Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Presidentja i ka uruar suksese kryeministrit aktual në detyrë Albin Kurtit, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues.
Të premten më 10 tetor, pas emërimit të nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiq, u konstituua Kuvendi i Kosovës, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit 2025 duke hapur rrugë për formimin e qeverisë së re.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.