Presidentja Osmani kërkon mbështetjen e Terras për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës
Presidentja e Kosovës, Osmani tha se pavarësisht bashkëpunimit konstruktiv, vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm
Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, nga i cili ka kërkuar mbështetje për largimin sa më të shpejtë të masave të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës, transmeton Anadolu.
Zyra e Presidentes njoftoi se në takimin e Osmanit me Terras u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me ç'rast presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore.
Osmani theksoi se pavarësisht bashkëpunimit konstruktiv, vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm.
"Në këtë kontekst, presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë", thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sipas presidentes Osmani, heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave. Më tej, ajo shtroi nevojën që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave.
Gjatë takimit, presidentja kosovare prezantoi një sërë të dhënash të institucioneve ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën në lartë në performancë, në shumë fusha kyçe.
