Presidentja Osmani: Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt
Osmani për marrëveshjen të cilën e konsideroi si historike tha se do t'i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit
Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar me një shkrim pasi në emër të Republikës së Kosovës, ka nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), transmeton Anadolu.
Osmani për marrëveshjen të cilën e konsideroi si historike tha se do t'i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes në Davos të Zvicrës, ajo tha se kur Amerika udhëheq "paqja është gjithmonë më e sigurt".
"Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës", tha Osmani.
Tutje, Osmani falënderoi presidentin Trump për lidershipin e tij dhe për ftesën që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik, duke shtuar se Kosova do të jetë përherë në shërbim te paqes.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sot në prezantimin zyrtar të Bordit të tij të Paqes, tha se grupi në të cilin ai shërben si kryetar do të punojë në partneritet me OKB-në për të adresuar krizat shumë përtej Rripit të Gazës.
