BALLKANI

Presidentja Osmani ftohet nga presidenti Trump për ta përfaqësuar Kosovën në Bordin e Paqes për Gazën

"Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes - dhe ne jemi gati", ka shkruar Osmani

Agim Sulaj  | 21.01.2026 - Përdıtësım : 21.01.2026
Presidentja Osmani ftohet nga presidenti Trump për ta përfaqësuar Kosovën në Bordin e Paqes për Gazën

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është ftuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, që ta përfaqësojë Kosovën në Bordin e Paqes për Gazën, transmeton Anadolu.

Nëpërmjet një komunikate për media, Zyra e Presidentes ka bërë publike letrën e presidentit Trump drejtuar presidentes Osmani, ku Kosova është ftuar që të jetë si anëtare themeluese e këtij bordi.

Presidentja Osmani tha se ndihet e nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump që Kosova të jetë krah SHBA-së në misionin për një botë më të sigurt.

"Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike. Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes - dhe ne jemi gati", ka shkruar Osmani.

Në letrën e Trumpit drejtuar Osmanit e cila u publikua nga Zyra e Presidentes së Kosovës, bëhet e ditur se Trump ka nënvizuar se "Ky Bord do të jetë unik në llojin e tij, si asnjëherë më parë dhe çdo shtet anëtar mund të caktojë një përfaqësues të autorizuar për të marrë pjesë dhe kontribuar në takime në emër të tij".

"Përpjekja jonë do të bashkojë një grup të dalluar shtetesh, të gatshme të mbajnë mbi supe përgjegjësinë fisnike të ndërtimit të paqes së qëndrueshme, një nder i rezervuar për ata që janë të përgatitur të udhëheqin me shembull dhe të investojnë me mençuri në një të ardhme të sigurt dhe të begatë për brezat që vijnë. Ne do t'i mbledhim partnerët tanë të mrekullueshëm dhe të përkushtuar, shumica prej të cilëve janë liderë botërorë shumë të respektuar, në një të ardhme të afërt", thuhet në letër.

Trumpi ka përmendur se qëllimi i bordit është konsolidimi i paqes në Lindjen e Mesme "dhe njëkohësisht për të ndërmarrë një qasje të re, të guximshme, për zgjidhjen e konflikteve globale".

Presidenti amerikan përmendi po ashtu në letër se më më 29 shtator 2025, shpalli Planin gjithëpërfshirës për t'i dhënë fund konfliktit në Gaza dhe "në vijim të këtij plani, më 17 nëntor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërmuese Rezolutën 2803 duke e mirëpritur dhe mbështetur këtë vizion".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın