BALLKANI

Presidentja Osmani e konsideron të panevojshme ankesën e Listës Serbe në Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Osmani tha se "vonesa që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por edhe të gjithë qytetarëve që jetojnë, përfshirë serbëve në Kosovë"

Agim Sulaj  | 20.10.2025 - Përdıtësım : 20.10.2025
Presidentja Osmani e konsideron të panevojshme ankesën e Listës Serbe në Kushtetuese

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka konsideruar "totalisht të panevojshme" ankesën e Listës Serbe të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me seancën konstituive të Kuvendit, raporton Anadolu.

Presidentja Osmani e pyetur për mundësitë që Kushtetuesja ka për pezullim të rrjedhës së afatit për formim të qeverisë duke vendosur masë të përkohshme, tha se ankesa e Listës Serbe është një tentim tjetër për të krijuar vonesa në formim të institucioneve.

Sipas presidentes Osmani, një gjë e tillë dëmton interesat e Kosovës si shtet, por edhe të gjithë qytetarëve të të gjitha etnive.

"Totalisht e panevojshme. Ju e dini që ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve. Besoj se kjo është një tentim tjetër për vonesa të cilat, siç e dini, e kanë dëmtuar interesin e Kosovës. Janë bërë shumë muaj pa qeveri e cila do të kishte mandat të plotë kushtetues", theksoi Osmani pas një ceremonie të mbajtur në qendër të Prishtinës rreth kancerit të gjirit.

Ajo theksoi se është në interes të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie që të ketë institucione me mandat të plotë kushtetues dhe "vonesa që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por edhe të gjithë qytetarëve që jetojnë, përfshirë serbëve në Kosovë".

Lista Serbe ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese më 16 tetor, ku pretendon se me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe nuk morën votat e nevojshme.

Megjithatë, Osmani tha se i takon Gjykatës Kushtetuese vendimi për vendosje të masës së përkohshme apo jo, duke shtuar se "Gjykata Kushtetuese e ka lirinë dhe pavarësinë e plotë që të vendosë në përputhje me Kushtetutën e vendit".

Më 11 tetor, presidentja Osmani ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për formimin e qeverisë së re dhe sipas afatit kushtetues, 26 tetori është dita e fundit kur Kurti duhet ta propozojë në Kuvend qeverinë e re.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın