Presidentja Osmani: E ardhmja e Kosovës në NATO dhe BE mbetet e palëkundur
"Një gjë mbetet e palëkundur, e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në BE. Kjo nuk është vetëm një aspiratë e paluhatur e jona, por një interes strategjik për të gjithë rajonin dhe për vetë aleancën euroatlantike”, tha Osmani

Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Në kuadër të vizitës së saj në Berlin ku vizitoi Institutin “Aspen”, Osmani foli për aspiratat e Kosovës.
“Në Institutin Aspen në Berlin fola për Kosovën tonë si një shtet që, në vetë thelbin e ndërtimit të së ardhmes, ka përqafuar reformën dhe zbatimin e saj si rrugën e vetme drejt zhvillimit dhe konsolidimit demokratik. Por një gjë mbetet e palëkundur, e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në BE. Kjo nuk është vetëm një aspiratë e paluhatur e jona, por një interes strategjik për të gjithë rajonin dhe për vetë aleancën euroatlantike”, shkroi Osmani në rrjetet sociale.
Presidentja Osmani ndodhet në Gjermani, ku do të mbajë një fjalim në Fakultetin Juridik në Universitetin e Berlinit.
Osmani para studentëve do të flasë për mbrojtjen e demokracisë në kuadër të "Javës së takimeve me personalitete evropiane", e cila po zhvillohet në këtë universitet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.