Presidentja e Kosovës Osmani priti në takim kryeministrin e Shqipërisë Rama
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin diskutuan për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe për zhvillimet rajonale
Shkup
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin diskutuan për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe për zhvillimet rajonale, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit nga Presidenca, në fokus të takimit ishin koordinimi i ngushtë politik dhe institucional, si dhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave të përbashkëta strategjike.
"Të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë-Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin", thuhet në njoftim.
Më tej, sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, duke u theksuar rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale që promovojnë dialogun, sigurinë dhe vlerat demokratike.
"Në këtë kontekst, u nënvizua se Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga presidenti Donald Trump në Bordin e Paqes, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë", thotë njoftimi, duke shtuar:
"Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama riafirmuan vullnetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet dy shteteve, duke vënë theksin në partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në afrimin dhe mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve".
Gjithashtu, presidentja Osmani përgëzoi kryeministrin Rama për progresin në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE), duke e cilësuar këtë si një dëshmi të angazhimit të qartë evropian të Shqipërisë dhe si një zhvillim që forcon perspektivën evropiane të gjithë rajonit.
"Në përmbyllje të takimit, kryeministri Rama e uroi presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë dhe të palëkundur të Republikës së Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen euroatlantike", shton njoftimi.
