BALLKANI

Presidentja e Kosovës bisedon për heqjen e masave të BE-së me homologun bullgar

Vjosa Osmani tha se Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, është një mik i Kosovës dhe mbështetës i fuqishëm i aspiratave euroatlantike të vendit

Agim Sulaj  | 29.10.2025 - Përdıtësım : 29.10.2025
Presidentja e Kosovës bisedon për heqjen e masave të BE-së me homologun bullgar

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Riad është takuar me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, transmeton Anadolu.

Presidentja Osmani ka njoftuar pas takimit se presidenti bullgar Radev është një mik i Kosovës dhe mbështetës i fuqishëm i aspiratave të vendit.

Osmani bëri të ditur se me homologun e saj bullgar ka biseduar për largimin e masave të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës.

"Në takimin tonë në Riad, në qendër të bisedës ishin largimi i masave të padrejta ndaj Kosovës dhe avancimi i aplikacionit për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, si pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta për të forcuar stabilitetin rajonal dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona në kuadër të partneritetit evropian dhe euroatlantik", theksoi Osmani.

Takimi ndërmjet Presidenteve të Kosovës dhe Bullgarisë vjen në kuadër të Edicionit të 9-të të Forumit Iniciativa për Investime në të Ardhmen (FII), që po mbahet në Riad të Arabisë Saudite, ku po marrin pjesë liderë nga vende të ndryshme të botës.

Bullgaria është ndër vendet anëtare të BE-së që ka mbështetur proceset integruese të Kosovës dhe forcimin e marrëdhënieve të saj me BE-në dhe NATO-n.

Që nga vendosja e masave të BE-së ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, Sofja ka shprehur qëndrime të moderuara duke inkurajuar dialogun Kosovë-Serbi dhe respektimin e reformave të kërkuara nga Brukseli.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.