Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit në takim nga kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Galab Donev
Të dyja palët janë dakorduar për bashkëpunim në fushën e politikës së jashtme, ekonomisë, arsimit dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm

Prishtinë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj në Bullgari është pritur në takim nga kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Galab Donev, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Zyra e Presidentit, në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, mundësitë për thellimin e tyre dhe situatën aktuale në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova pret mbështetjen bullgare në rrugën euroatlantike të saj, duke potencuar se në këtë aspekt mund të përfitojë nga përvoja e këtij shteti.
Të dy bashkëbiseduesit janë ndalë te çështja e sigurisë energjetike, derisa edhe kryeministri në detyrë Donev, sikurse presidenti Radev ka shfaqur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën me furnizim me energji elektrike. Palët konfirmuan se për këtë çështje do të ketë takim ndërshtetëror të ministrive të linjës përkatëse.
Në takim me kryeministrin në detyrë, Donev, presidentja kosovare ka marrë mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare, teksa i ka bërë të ditur atij se Kosova synon që brenda këtij vitit të aplikojë edhe për anëtarësim në BE.
Në raport me zhvillimet e fundit në vend, Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës.
Sipas Osmanit, dialogu me Serbinë duhet të jetë i fokusuar me njohje të ndërsjellë në qendër, ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës.
Të dyja palët janë dakorduar për bashkëpunim në fushën e politikës së jashtme, ekonomisë, arsimit dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Bullgari, më herët është pritur edhe nga presidenti bullgar Rumen Radev, si dhe nga kryetari i Kuvendit Kombëtar të Bullgarisë, Vezhdi Rashidov.
Në agjendën e vizitës së Osmanit në Bullgari është edhe ndarja e Medaljes Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Bullgarisë për kontributin e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR) në Kosovë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.