BALLKANI

Presidentja e KE-së, Von der Leyen: Mali i Zi i është afruar anëtarësimit në BE

"Mali i Zi është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së", tha presidentja e KE-së, Von der Leyen

Selen Valente Rasquinho, Lejla Biogradlija  | 14.10.2025 - Përdıtësım : 14.10.2025
Presidentja e KE-së, Von der Leyen: Mali i Zi i është afruar anëtarësimit në BE Foto: Rusmin Radic/AA

Bruksel

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se Mali i Zi është "vend pionier" në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) duke deklaruar se ky qëllim mund të arrihet shpejt nëse ruhet vrulli aktual, raporton Anadolu.

Von der Leyen foli në një konferencë të përbashkët për media pas takimit të saj me kryeministrin malazez, Millojko Spajiq në qytetin Tivat në Malin e Zi.

"Sa herë që vij këtu, ndiej se zemra e Evropës rreh në Mal të Zi. Mali i Zi nuk është vetëm i përkushtuar ndaj të ardhmes evropiane, është jashtëzakonisht i apasionuar pas saj. Ju jeni në një pozicion udhëheqës të padiskutueshëm në procesin e anëtarësimit", tha presidentja e KE-së.

Duke vënë në dukje se Mali i Zi ka arritur moment të konsiderueshëm në negociata, Von der Leyen tha: "Ju keni mbyllur katër kapituj negociatash që nga vizita ime vitin e kaluar. Ky ritëm është mbresëlënës. Ju jeni në rrugën e duhur për të mbyllur pesë të tjerë këtë vit".

"Ju dëshironi të mbyllni të gjithë kapitujt vitin e ardhshëm dhe siç thatë, të bëheni 'anëtari i 28-të në vitin 2028'. Ky është qëllim ambicioz, por neve na pëlqen ambicia. Ne e dimë që Mali i Zi mund ta arrijë këtë nëse përqendroheni te qëllimi dhe qëndroni të bashkuar", tha Von der Leyen.

Mali i Zi është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, tha Von der Leyen duke shtuar se "Mali i Zi e ka bërë zgjedhjen e tij shumë të qartë. Ju jeni plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Ne e vlerësojmë thellësisht vendimin tuaj për të dërguar trupa në misionin tonë të trajnimit në Ukrainë".

Ajo iu referua planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. "Jam e kënaqur të njoftoj se 8 milionë euro do të disbursohen brenda kornizës së planit të rritjes", tha Von der Leyen.

Pasi përshëndeti pranimin e Malit të Zi në Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave (SEPA), Von der Leyen tha se "Që nga java e kaluar, transferimet e parave midis Malit të Zi dhe BE-së janë bërë jo vetëm më të sigurta, por edhe më të shpejta dhe kanë zero tarifa".

Von der Leyen theksoi se do të eliminojnë tarifat e roamingut midis Malit të Zi dhe BE-së vitin e ardhshëm, duke shtuar se "Ky është një hap jashtëzakonisht pozitiv për biznesin, turizmin dhe afrimin e popujve tanë".

"Argumenti më i fortë për zgjerimin nuk është vetëm ekonomia, tregtia apo gjeopolitika, mbi të gjitha, janë njerëzit. Populli malazez dëshiron Evropën", tha presidentja e KE-së.


- Von der Leyen bën thirrje për investime në Malin e Zi

Në fjalimin e saj hapës në konferencën me titull "Rritje e zgjuar, e ardhmja e gjelbër: Përshpejtimi i investimeve në Malin e Zi" të mbajtur në Tivat, Von der Leyen theksoi nevojën për rritje të investimeve në vend.

Ajo u bëri thirrje njerëzve të mos presin derisa të përfundojë procesi i anëtarësimit për të investuar në Malin e Zi. "Përndryshe, mund të humbisni mundësi që të tjerët do t'i shfrytëzojnë. Koha për të investuar është tani", shtoi Von der Leyen.

"Nëse Mali i Zi vazhdon në këtë rrugë me këtë shpejtësi dhe vendosmëri, për të cilën nuk kam asnjë dyshim, qëllimi i anëtarësimit në BE është vërtet i arritshëm", deklaroi presidentja e KE-së.


- "Qëllimi ynë është të jemi anëtar i BE-së deri në vitin 2028"

Kryeministri malazez Millojko Spajiq shprehu vendosmërinë e vendit të tij në procesin e anëtarësimit në BE. "Ne jemi vend pionier në procesin e anëtarësimit në BE. Qëllimi ynë është të jemi anëtar i BE-së deri në vitin 2028. Jemi të gatshëm të kontribuojmë në transformimin e gjelbër dhe dixhital. Po ndërtojmë vend modern", tha ai.

"Von der Leyen shprehu kënaqësinë e saj me progresin që Mali i Zi ka bërë në dy vitet e fundit", tha Spajiq duke shtuar se ata do të vazhdojnë me vendosmërinë dhe zbatimin e reformave derisa të bëhen anëtare të BE-së.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın