BALLKANI

Presidenti serb Vuçiq: Akt i rëndë terrorist ndodhi përpara Asamblesë Kombëtare

Policia arrestoi një person lidhur me incidentin, pas të cilit, një numër i madh oficerësh policie, përfshirë anëtarë të Njësisë Speciale Antiterroriste u vendosën përpara parlamentit

Zlatan Kapic  | 22.10.2025 - Përdıtësım : 22.10.2025
Presidenti serb Vuçiq: Akt i rëndë terrorist ndodhi përpara Asamblesë Kombëtare

Beograd

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se një "akt i rëndë terrorist" ndodhi sot para Asamblesë Kombëtare në Beograd, transmeton Anadolu.

"Unë jam i pari që flas dhe kërkoj falje që më është dashur të largohem nga ky tubim i mrekullueshëm. Arsyeja është akti terrorist që ndodhi para Asamblesë Kombëtare dhe do të duhet të merrem pak më shumë me të gjatë ditës së sotme", tha Vuçiq në fjalimin e tij në Pallatin e Serbisë me rastin e ndarjes së disa granteve.

Sot në mëngjes, një zjarr shpërtheu në disa tenda para parlamentit serb në Beograd, ku po qëndrojnë mbështetës të qeverisë aktuale dhe para kësaj u dëgjuan të shtëna me armë zjarri në të cilat një person u plagos, thanë mediat lokale.

Policia ka arrestuar një person në lidhje me incidentin.

Ndërkaq, më pas, në fjalimin e jashtëzakonshëm të cilin ai e paralajmëroi më herët pas incidentit, Vuçiq tha se bëhet fjalë për "akt terrorist me motive politike".

"Sot para Dhomës së Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë, Angjelkoviq Vlladan, i lindur në vitin 1955 në Beograd, me vendbanim të regjistruar në komunën Stari Grad, kreu – ky është vlerësimi im politik dhe si avokat – një sulm të tmerrshëm terrorist kundër personave të tjerë dhe pronës së personave të tjerë dhe shkaktoi rrezik të përgjithshëm", deklaroi Vuçiq.

Gjatë fjalimit të Vuçiqit, u transmetua një regjistrim nga vendi i sulmit, si dhe një deklaratë nga i arrestuari Angjellkoviq, i cili tha se nuk i njihte njerëzit që ishin atje, por se donte që policia t’i merrte jetën sepse, siç tha ai, nuk mund të jetonte më.

Të shtënat ndodhën në njërën nga tendat, kur një person qëlloi disa herë drejt një tjetri, duke e goditur në këmbë. Personi i plagosur u dërgua në Qendrën e Emergjencës dhe policia ndaloi sulmuesin, sipas informacioneve jozyrtare nga mediat lokale.

Pas incidentit, një numër i madh oficerësh policie, përfshirë anëtarë të Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ), u vendosën përpara parlamentit, ku po mbahet seancë.

Kampi është ngritur përpara institucioneve në Beograd për muaj të tërë dhe përbëhet nga kundërshtarë të bllokadave dhe protestave të nisura pas shembjes së një pjese në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor të vitit të kaluar, në të cilën humbën jetën 16 persona.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın