Presidenti Pendarovski dënon djegien e flamurit bullgar në Karnavalin e Vevçanit
"Djegia e flamurit të Republikës së Bullgarisë gjatë karnavalit në Vevçani është e papranueshme dhe duhet dënuar. Midis fqinjëve është e nevojshme të ndërtohet besimi, mirëkuptimi dhe respekti", shkroi presidenti Pendarovski
Shkup
Presidenti i Maqedonisë së Veriut ka dënuar aktin e djegies së flamurit bullgar në manifestimin e Karnavalit të Vevçanit në jugperëndim të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Djegia e flamurit të Republikës së Bullgarisë gjatë karnavalit në Vevçani është e papranueshme dhe duhet dënuar. Midis fqinjëve është e nevojshme të ndërtohet besimi, mirëkuptimi dhe respekti", shkroi presidenti Pendarovski në rrjetet sociale.
Akti në fjalë më herët u dënua edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, tek e cila nga Bullgaria përmes ambasadorit të saj në Shkup, Angel Angelov, u dërgua një notë verbale.
"Tradita shekullore nuk guxon të rrezikohet përmes aktiviteteve që nënçmojnë ose fyejnë popuj, shtete, në veçanti fqinjët tanë", tha ministria.
Mbrëmë, ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva, njoftoi se Sofja përmes ambasadorit bullgar ka dërguar protestë verbale ndaj Shkupit për djegien e flamurit.
Ndërkohë nga policia e Maqedonisë së Veriut sot konfirmuan se incidenti ka ndodhur pasditen e djeshme nga një person që ishte pjesë e karnavalit, i cili gjatë djegies tradicionale të maskave të karnavalit mbante në dorë flamurin bullgar dhe e hodhi atë në zjarr.
"Ngjarja është dokumentuar dhe pasi të përcaktohet identiteti i personit do të ngrihet akuzë ndaj tij", theksuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Edhe pse në numër më të vogël krahasuar me vitet e kaluara, të mërkurën qindra persona marshuan në Karnavalin e Vevçanit, pavarësisht masave qeveritare për kufizimin e grupimit të më shumë se katër personave mes pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19). Ngjarja nuk u mbështet edhe nga Komuna e Vevçanit si organizator kryesor.
Policia ndërhyri për shpërndarjen e pjesëmarrësve në karnaval, pas çka ndodhi një përleshje mes tyre dhe disa persona u arrestuan. Një ditë më vonë, përkatësisht dje kur ndodhi edhe akti i djegies së flamurit bullgar, përfundoi manifestimi pesë-ditor i karnavalit me djegien e maskave, veprim me të cilin besohet se njerëzit çlirohen nga e keqja, ndërsa viti vijues do të jetë më i mirë dhe me më shumë të ardhura.
"Karnavali i Vevçanit" besohet të ketë një traditë mbi 1.400 vjeçare, i cili përmes maskave dhe personifikimeve të ndryshme përcjellë mesazhet për ngjarjet e ndodhura gjatë vitit paraprak në vend dhe më gjerë, duke i kritikuar të njëjtat. Komuna e Vevçanit dhe "Karnavali i Vevçanit" janë anëtare të Asociacionit të Qyteteve Botërore të Karnavaleve (FEEC).
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.