Presidenti kroat bën thirrje për nisjen e procesit parlamentar për njohjen e Palestinës
- “Njohja e të drejtave të popullit palestinez për shtetin e tyre është e vetmja mënyrë për të vendosur paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, ka thënë Zoran Milanoviq.
Zagreb
ZAGREB/STAMBOLL (AA) - Presidenti kroat Zoran Milanoviq i ka bërë thirrje sot qeverisë së vendit të fillojë procesin parlamentar për njohjen e Palestinës si shtet sovran dhe të pavarur, transmeton Anadolu.
“Kroacia duhet ta njohë Palestinën si një hap drejt përfundimit të luftës dhe katastrofës njerëzore në Gaza. Njohja e të drejtave të popullit palestinez për shtetin e tyre është e vetmja mënyrë për të vendosur paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, ka thënë Milanoviq në një takim me ministren e Jashtme palestineze Varsen Aghabekian në Zagreb, sipas një deklarate të presidencës.
Milanoviq gjithashtu ka dënuar ashpër sulmet izraelite ndaj civilëve në Gaza dhe planin e shpallur të pushtimit.
Milanoviq ka thënë se do të “avokojë fuqimisht që Kroacia të njohë Palestinën sa më shpejt të jetë e mundur dhe po i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kroacisë të fillojë procedurën për njohjen e Palestinës në Parlamentin e Kroacisë”.
