Presidenti i parë i Bosnjës, Izetbegoviq, përkujtohet me veprat e tij në 100-vjetorin e lindjes
Alija Izetbegoviq luftoi për të mbajtur gjallë vetëdijen fetare dhe kombëtare të boshnjakëve muslimanë në periudhën e ish-Jugosllavisë dhe u burgos dy herë për këtë kauzë

Sarajevë/Ankara
LEJLA BİOGRADLİJA AKSAN
I ndjeri Alija Izetbegoviq, presidenti i parë i Bosnjë e Hercegovinës së pavarur, u përkujtua në 100-vjetorin e lindjes së tij përmes librave që la pas, raporton Anadolu.
Izetbegoviq luftoi për të mbajtur gjallë vetëdijen fetare dhe kombëtare të boshnjakëve muslimanë në periudhën e ish-Jugosllavisë dhe u burgos dy herë për këtë kauzë. Ai shkroi vepra, përfshirë "Islami midis Lindjes dhe Perëndimit", "Deklarata e Islamit", "Arratisja ime drejt lirisë", "Dëshmia ime ndaj historisë" dhe "Ne nuk do të jemi skllevër".
Në bashkëpunim me Fondacionin "Alija Izetbegoviq" me seli në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, tre shoqata nga Turqia, Gjermania dhe Bosnjë e Hercegovina u bashkuan për të përkujtuar Izetbegoviqin në 100-vjetorin e lindjes së tij.
Pjesëmarrësit u mblodhën në Fondacionin "Alija Izetbegoviq" dhe u shoqëruan nga vajza e Izetbegoviqit, Sabina Berberoviq.
- "Ne donim të kuptonim idetë e tij si burrë shteti dhe mendimtar"
Emina Kiremitçi nga Shoqata e Grave Boshnjake "Zambak" që vepron në Ankara tha për Anadolu se ata që kanë lexuar librat e Izetbegoviqit u mblodhën në Sarajevë si pjesë e fazës përfundimtare të projektit.
"Ne donim të përkujtonim 100-vjetorin e lindjes së Alijas në vitin 2025 duke lexuar librat e tij. Menduam se kjo do të ishte mënyra më e mirë për të kuptuar idetë e tij si burrë shteti dhe mendimtar", tha Kiremitçi.
Ajo theksoi se tre nga librat e Izetbegoviqit u lexuan si pjesë e projektit me një periudhë leximi dy-mujore të ndarë për secilin libër dhe më pas, pjesëmarrësit u lidhën në internet për të ndarë komentet dhe mendimet e tyre mbi librat.
Pasi vuri në dukje se ata i interpretuan librat duke marrë në konsideratë jetën e Izetbegoviqit dhe historinë e Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Kiremitçi tha: "Mendoj se është një projekt i bukur. Besoj se do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm me pjesëmarrës të rinj".
Kiremitçi tha se përveç Turqisë, në projekt mori pjesë edhe Shoqata "Insana" nga Gjermania ndërsa kontribut ka ofruar edhe Shoqata "Vezirin Dükkanı" nga qyteti Travnik i BeH-së.
Zineta Subashiq nga Shoqata "Insana" tha se projekti u zbatua përmes iniciativës së Shoqatës së Grave Boshnjake "Zambak" dhe shprehu kënaqësinë e saj të madhe për leximin e librave të Izetbegoviqit.
Kryetarja e Shoqatës "Vezirin Dükkanı", Dzenana Durek tha se ata janë të kënaqur që u bashkuan pasi lexuan librat e Izetbegoviqit dhe se ata janë e vetmja shoqatë nga BeH-ja që merr pjesë në projekt.
- Alija Izetbegoviq lindi më 8 gusht 1925
Alija Izetbegoviq, një nga pesë fëmijët e çiftit Mustafa dhe Haba, lindi më 8 gusht 1925 në Bosanski Shamac në BeH.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Izetbegoviqi kundërshtoi ideologjinë fashiste dhe më pas regjimin komunist dhe praktikat e tij. Ai u bë presidenti i parë i një Bosnje e Hercegovine të pavarur në atdheun e tij, për të cilin luftoi.
Gjatë gjithë jetës së tij, duke dëshmuar pushtimin e atdheut të tij dhe refuzimin e vazhdueshëm të identitetit musliman, Izetbegoviqi e vazhdoi luftën e tij në arenën intelektuale, duke shkruar artikuj dhe libra.
Ai ishte ndër themeluesit e "Muslimanëve të Rinj", organizatë e përbërë nga studentë kolegji dhe universiteti. Gjatë luftës që ndërmori për popullin e tij, ai u arrestua dy herë, në vitin 1946 dhe 1983.
Izetbegoviqi themeloi Partinë e Veprimit Demokratik (SDA) në vitin 1990, e cila mbetet partia më e fortë boshnjake në vend edhe sot dhe udhëhoqi popullin e tij në luftën e viteve 1992-1995 kundër serbëve në BeH.
Në vitin 1995 udhëheqësi boshnjak nënshkroi Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, që i dha fund luftës, dhe me këtë marrëveshje, ai i la popullit të tij një shtet të njohur ndërkombëtarisht.
Izetbegoviqi dha dorëheqje nga pozicioni i tij në Këshillin Presidencial në vitin 2000 për shkak të problemeve shëndetësore ndërsa ndërroi jetë në Sarajevë më 19 tetor 2003.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.