BALLKANI

Presidenti i Hungarisë: Shqipëria e meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian

Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, finalizimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe situata e sigurisë në rajon dhe në Evropë ishin në fokus të vizitës në Hungari të Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj

Fatjon Cuka  | 16.09.2025 - Përdıtësım : 17.09.2025
Presidenti i Hungarisë: Shqipëria e meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian Burimi: Presidenca e Shqipërisë

Tiranë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar vizitë zyrtare në Hungari, ku u prit nga homologu i tij hungarez, Tamas Sulyok, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se forcimi i marrëdhënieve dypalëshe bazuar në një miqësi historike, finalizimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) dhe situata e sigurisë në rajon dhe në Evropë ishin në fokus të vizitës.

Begaj dhe Sulyok zhvilluan fillimisht takimin kokë më kokë dhe më pas me delegacionet përkatëse.

Sipas njoftimit, Begaj mori mbështetjen e plotë dhe të hapur të Hungarisë për finalizimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

"Presidenti Begaj i përcolli homologut të tij mirënjohje, duke u shprehur se Shqipëria nuk do ta harrojë këtë përkrahje të Hungarisë, e cila ka qenë e vendosur për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE", thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se Begaj dhe Sulyok theksuan rëndësinë e anëtarësimit në BE bazuar në meritë dhe sipas presidentit hungarez Shqipëria e meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

"Gjatë bisedës u konstatua, gjithashtu, intensifikimi i ndjeshëm i dialogut politik, që është një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve Shqipëri-Hungari, ndërsa u shpreh bindja e përbashkët se kjo frymë do të vijojë duke dhënë rezultate të prekshme në të gjitha fushat e bashkëpunimit.

Presidenti i Republikës theksoi, ndër të tjera, ecurinë pozitive të marrëdhënieve Shqipëri-Hungari dhe bashkëpunimin gjithnjë në rritje mes dy vendeve në këtë vit të 103-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike", thuhet në njoftim.

Ndër të tjera theksohet se për sa i përket çështjeve të sigurisë, u shpreh angazhimi i përbashkët Shqipëri-Hungari si dy vende në NATO, për mbrojtjen kolektive dhe sigurinë euroatlantike.

"Presim të bashkëpunojmë ngushtë në kuadër të Samitit të NATO-s, që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027", është shprehur Begaj, ndërsa vlerësoi sipas njoftimit prezencën e Hungarisë në Kosovë, "si një ndër vendet me më shumë trupa në KFOR".

Presidenti Begaj do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të Hungarisë.

Sipas Presidencës së Shqipërisë, vizita synon të forcojë më tej dialogun politik, marrëdhëniet dypalëshe bazuar në një miqësi historike, bashkëpunimin për finalizimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe bashkëpunim për situatën e sigurisë në rajon dhe në Evropë si dy vende në NATO.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın