BALLKANI

Presidenti Begaj dekreton ministrat e kabinetit të ri qeveritar të Shqipërisë

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se me propozim të Kryeministrit Edi Rama, Presidenti Begaj dekretoi sot ministrat e Qeverisë së re, si dhe i përcolli dekretet Kuvendit të Shqipërisë.

Fatjon Cuka  | 15.09.2025 - Përdıtësım : 15.09.2025
Presidenti Begaj dekreton ministrat e kabinetit të ri qeveritar të Shqipërisë Presidenti Bajram Begaj mandatoi kryeministrin Edi Rama për formimin e qeverisë së re, më 12 shtator 2025. (Foto: Presidenca e Shqipërisë)

Tiranë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar sot ministrat e kabinetit të ri qeveritar, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se me propozim të Kryeministrit Edi Rama, Presidenti Begaj dekretoi sot ministrat e Qeverisë së re, si dhe i përcolli dekretet Kuvendit të Shqipërisë.

"Procedura për emërimin e Qeverisë së re do të përmbyllet në përputhje me Kushtetutën në ditët në vijim, me betimin e Kryeministrit dhe të ministrave, pasi Kuvendi të miratojë programin dhe përbërjen e Qeverisë. Ceremonia e betimit do të zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës", thuhet në njoftim.

Sipas dekreteve të Presidentit Begaj, Belinda Balluku është emëruar zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Albana Koçiu është emëruar në postin e ministres së Punëve të Brendshme.

Elisa Spiropali është emëruar ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, Pirro Vengu ministër i Mbrojtjes, Petrit Malaj si ministër i Financave dhe Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Begaj ka dekretuar si ministër të Mjedisit Sofjan Jaupaj dhe Mirela Kumbaro Furxhi në postin e ministres së Arsimit, ndërsa Evis Sala ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Delina Ibrahimaj është dekretuar si ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Besfort Lamallari ministër i Drejtësisë dhe Andis Salla ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ervin Demo është emëruar ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, Adea Pirdeni ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Toni Gogu ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Ndërkohë, Majlinda Dhuka është dekretuar ministre Shteti dhe Kryenegociatore me Bashkimin Evropian.

Për herë të parë në kabinetin qeveritar të Shqipërisë do të ketë një ministre virtuale, e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, që do të quhet Diella dhe që do të merret me çështjet e prokurimeve publike.

Më 12 shtator, Begaj mandatoi kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për krijimin e qeverisë së re. Përbërja e qeverisë së re do të votohet në ditët në vazhdim nga Kuvendi i Shqipërisë.

Më 12 shtator u mbajt seanca e parë e konstituimit të Kuvendit të Shqipërisë, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025, zgjedhje që u fituan nga Partia Socialiste. Niko Peleshi, deputet i Partisë Socialiste, u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.