BALLKANI

Presidenti Begaj: Ballkani Perëndimor po përballet me një tranzicion demografik

Në Tiranë po mbahet konferenca shkencore ndërkombëtare me temë “Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës- sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”, ku i pranishëm ishte edhe Begaj

Fatjon Cuka  | 10.10.2025 - Përdıtësım : 10.10.2025
Presidenti Begaj: Ballkani Perëndimor po përballet me një tranzicion demografik Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se Ballkani Perëndimor po përballet me një tranzicion demografik, raporton Anadolu.

Në Tiranë po mbahet konferenca shkencore ndërkombëtare me temë “Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës- sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”, ku i pranishëm ishte edhe Begaj.

Konferenca dyditore organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në fjalën e tij Begaj u shpreh se konferenca bashkon mendimin shkencor dhe institucional, për të analizuar sipas tij një nga sfidat më të mëdha të zhvillimit, si demografinë, tregun e punës dhe ndikimin e tyre në ekonominë e vendeve.

"Tema e konferencës vështirë se do të ishte më e rëndësishme dhe më me vend po të kemi parasysh zhvillimet e tanishme dhe ato të pritshme demografike. Ato prekin themelet e shoqërisë sonë: sigurinë, familjen, punësimin, mirëqenien dhe perspektivën zhvillimore, prekin të ardhmen tonë", tha Begaj.

Ai theksoi se parashikimet e Kombeve të Bashkuara mbi popullsisë në vendet e rajonit janë pesimiste dhe shtoi se realiteti i sotshëm po e konfirmon.

"Sot Shqipëria, Kosova dhe Ballkani Perëndimor po përballen me një tranzicion demografik. Popullsia po zvogëlohet dhe plaket, për shkak të lindshmërisë së ulët dhe emigracionit si dhe po përqendrohet gjithnjë e më shumë në qytetet e mëdha si pasojë e migrimit të brendshëm. Këto zhvillime demografike ndikojnë drejtpërsëdrejti në tregun e punës", tha ndër të tjera Begaj.

Presidenti Begaj tha se tregu i punës ka nevojë, ka kërkesa të mëdha për punonjës me aftësi të reja në teknologji, informacion, në shërbime të specializuara dhe inovacion.

Në konferencë folën edhe përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Sipas organizatorëve, konferenca synon të bëjë bashkë akademikë, studiues dhe përfaqësues institucionesh qendrore nga Shqipëria, Kosova, rajoni dhe më gjerë, për të diskutuar ndërthurjen mes zhvillimeve demografike dhe strukturës së tregut të punës në kontekstin e qëndrueshmërisë ekonomike.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.