BALLKANI

Policia sërish zbulon armë dhe pajisje për prodhim të kriptovalutave në Mitrovicën Veriore

Njësitet policore kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme duke kryer kontroll në rrugën “Kollashini” në Mitrovicën Veriore, pas pranimit të informatave mbi dyshimet se në një lokacion ka mjete të dyshuara

Agim Sulaj  | 22.01.2025 - Përdıtësım : 24.01.2025
Policia sërish zbulon armë dhe pajisje për prodhim të kriptovalutave në Mitrovicën Veriore

Prishtinë

Policia e Kosovës sërish ka gjetur armë, pajisje për prodhim të kriptovalutave dhe pajisje tjera të dyshuara në Mitrovicën Veriore të banuar me shumicë nga komuniteti serb, transmeton Anadolu.

Siç njofton policia kosovare, njësitet policore kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme duke kryer kontroll në rrugën “Kollashini” në Mitrovicën Veriore, pas pranimit të informatave mbi dyshimet se në një lokacion ka mjete të dyshuara.

"Nga kontrolli i realizuar në një shtëpi dhe në objektet përcjellëse të saj, dëshmitë e gjetura dhe të konfiskuar janë një armë e gjatë (pushkë ajrore), pesë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave me pajisje përcjellëse, 42 minera për prodhimin e kriptovalutave me pajisje përcjellëse, një shtëpizë kompjuteri, një karikator i revoles, 14 fishek të revolës kalibri 9mm, një radiolidhje, një kamerë vëzhgimi, një divijar, një vulë mekanike dhe një leternjoftim", thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, aparatet për prodhimin e kriptovalutave do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës.

“Në vendin e ngjarjes nuk është hasur ndonjë person i dyshuar, mirëpo është identifikuar një person dhe i cili është me interes për Policinë që të intervistohet. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit 'Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar të armëve' ”, thuhet në njoftim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.