Policia e Kosovës gjen përsëri municion dhe granata dore në një shtëpi të braktisur në Zveçan
Policia me këtë rast ka gjetur dhe sekuestruar nëntë granata dore, 538 fishekë, tre karikatorë për armë automatike.
Prishtinë
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga rajoni i Mitrovicës së Veriut kanë gjetur dhe sekuestruar për të dytën ditë me radhë municion dhe granata dore në një shtëpi të braktisur në komunën e Zveçanit, transmeton Anadolu.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë të Veriut doli menjëherë në vendin e ngjarjes pasi ka marrë informacione se në një shtëpi të braktisur dhe të pabanuar mund të gjenden armë dhe municion.
Policia me këtë rast ka gjetur dhe sekuestruar nëntë granata dore, 538 fishekë, tre karikatorë për armë automatike.
“Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia për trajtimin e mjeteve shpërthyese (EOD), e cila ka trajtuar mjetet shpërthyese në mënyrë të sigurt. Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia tutje ka njoftuar se lidhur me këtë rast, nuk ka persona të arrestuar.
Një rast të njëjtë, ku ka gjetur dhe konfiskuar armë në një shtëpi të pabanuar në Zveçan, Policia e ka pasur edhe ditën e shtunë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
