Politikë, BALLKANI

"Po punojmë për integrimin e shpejtë evropian të Maqedonisë së Veriut"

Diplomati amerikan Gabriel Escobar tha se po punojnë me partnerët evropianë për t'u siguruar që integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut të ndodhë shumë shpejt

Abdula Berisha  | 06.12.2021 - Përdıtësım : 07.12.2021
"Po punojmë për integrimin e shpejtë evropian të Maqedonisë së Veriut" ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Zv/ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Gabriel Escobar, qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të vendit, Bujar Osmani, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët për media pas përfundimit të takimit, diplomati amerikan u shpreh mirënjohës për angazhimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, duke theksuar mbështetjen e SHBA-së për perspektivat integruese evropiane të Maqedonisë së Veriut.

"Doja të shprehja mbështetjen e fortë të administratës sonë për integrimin e shpejtë evropian të Maqedonisë së Veriut dhe ne po punojmë me partnerët tanë evropianë për t'u siguruar që kjo të ndodhë shumë shpejt. Mendoj se të gjithë jemi dakord që Maqedonia e Veriut është pjesë e Evropës, në aspektin kulturor pjesë e Evropës, në aspektin historik pjesë e Evropës dhe gjithnjë e më shumë në aspektin ekonomik pjesë e Evropës, dhe ju duhet të keni një vend në tryezë", tha Escobar.

Ministri Osmani në fjalën e tij foli edhe për marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve, por edhe për situatën aktuale në vend dhe rajon.

"Ne nuk duhet të lejojmë t'i kthehemi retorikës, aq më pak politikave të viteve 1990. Ballkani, si një rajon konfliktesh, ndarjesh dhe keqkuptimesh, duhet të mbetet vetëm një imazh i keq i së kaluarës. Ne jemi të detyruar që në shekullin e 21-të të ndërtojmë një rajon me paqe të qëndrueshme, stabilitet, të zhvilluar dhe të integruar plotësisht në strukturat euroatlantike dhe evropiane dhe këtë do ta arrijmë së bashku me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në", tha Osmani.

Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, diplomati amerikan Escobar është takuar me presidentin Stevo Pendarovski, ndërsa është paraparë takim edhe me kryeministrin Zoran Zaev.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.